.
×

Mjekët serbë e pengojnë anëtarësimin e Mjekëve Kosovarë në Komitetin e Mjekëve Evropian



Oda e Mjekëve të Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se muaj më parë ka parashtruar kërkesë për anëtarësim në Komitetin e Përhershëm të Mjekëve Evropian por sipas tyre ky proces po pengohet nga mjekët serb të cilët po kërkojnë që shqyrtimi i kërkesës të mos bëhet deri në zgjidhjen e problemit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Oda e Mjekëve të Kosovës  i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret e parapara me dokumente juridike të brendshme të CPME-së, të konfirmuara edhe nga udhëheqja e CPME-së, me qëllim të parandalimit të anëtarësimit të OMK-së në këtë organizatë ndërkombëtare, Oda e Mjekëve të Serbisë në koordinim me Qeverinë e Serbisë, është duke u përpjekur të pamundësojë anëtarësimin e OMK-së në CPME” thuhet në deklaratën e tyre.

Oda e Mjekëve thotë se çështja e mjekëve ka mision jo politik por profesional dhe edukativ prandaj sipas tyre është e papranueshme që shteti serb po ndikon në mospranimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.

Edhe mjekët kosovarë kanë ndikuar duke dërguar letër CPME me të cilën sqarojnë se gjatë dialogut Kosova dhe Serbia kanë marr obligim që të mos e pengojnë njëra tjetrën në procese integruese.

“Ndonëse është kërkuar tërheqja e aplikacionit për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar, OMK është e vendosur që këtë proces ta shtyjë deri në realizimin e anëtarësimit në CPME”, thuhet në deklaratë.

OMK thotë se është e bindur se do të jetë përfaqësuese e Kosovës në CPME si rezultat i votimit nga ana e asamblesë që pritet të jetë me datën 10 nëntor në Gjenevë të Zvicrës.