.
×

Mjekët e QKUK-së japin alarmin, lusin qytetarët të vaksinohen kundër gripit



BOTA PRESS 3 TETOR – Gripi në Kosovë që nga muaji tetor i vitit të kaluar, e deri në janarin e këtij viti kishte prekur 21 mijë e 350 kosovarë, prej tyre, 3 mijë e 36 raste me infeksion respirator akut, dhe 54 raste sëmundje e rëndë respiratore akute.
Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës gjatë muajve tetor, nëntor e dhjetor të vitit të kaluar është mbipopulluar nga pacientët të cilët ishin prekur nga gripi sezonal.

Madje mjekët e QKUK-së kishin alarmuar për gjendjen dhe numrin e madh të personave që prekeshin nga gripi. E që kjo situatë të mos përsëritet, mjekët e QKUK-së, po apelojnë tek qytetarët, sidomos ata të moshës mbi 60-vjeç që të vaksinohen në mënyrë që t’i parandalojnë fatalitetet.

Gripi në Kosovë që nga muaji tetor i vitit të kaluar, e deri në janarin e këtij viti kishte prekur 21 mijë e 350 kosovarë, prej tyre, 3 mijë e 36 raste me infeksion respirator akut, dhe 54 raste sëmundje e rëndë respiratore akute. Situata ishte cilësuar mjaftë e rëndë nga ana e personelit mjekësore kosovarë. Madje këta të fundit nuk kishin as kapacitete për t’i mjekuar të gjitha këto raste.

Por që kjo situatë të mos përsëritet edhe gjatë këtij viti, mjekët e QKUK-së po apelojnë tek qytetarët që të jenë të vëmendshëm ndonëse rreziku nga gripi sezonal vije përgjatë muajve tetor, nëntor e dhjetor.

Infektologu në QKUK, Hamdi Ramadani, në një prononcim për gazetën Express, deklaroi se kanë filluar të shfaqen rastet e para të gripit sezonal. Tha se qytetarët gjatë këtij muaji duhet të fillojnë vaksinimin për ta parandaluar këtë sëmundje.

Drejtori i Infektives, deklaroi se personat mbi moshën 60 vjeçare si dhe ata që kanë sëmundje kronike duhet të jenë të vëmendshëm.

“Epidemia e madhe që nga ndodhi gjatë vitit të kaluar ka qenë në qershor, sëmundja rapide u paraqit në shtator, tetor e nëntor. Por karshi kësaj është bërë një fushatë e madhe vaksinale dhe u zvogëlua kapacieteti i paraqitjes së kësaj sëmundjeje. Por qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm gjatë këtyre muajve. Vaksinimi duhet të jetë obligativ mënyrë që sëmundja të jetë sa më pak masive”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka thënë se vendi tashmë ka hyrë në sezonin e kësaj sëmundjeje.

“Ne tash jemi në fazën e paraqitjes së sëmundjes epidemiologjike të gripit ose influencës. Ne ju bëjmë apelet personave mbi moshën 60-vjeçare si dhe atyre që kanë probleme me sëmundjet kronike t’i nënshtrohen një vaksinimi në mbrojtjen kundër sëmundjes së gripit. Koha ideale është muaji tetor dhe fillimi i nëntorit. Ne i kemi disa raste sporadike. Andaj apelojmë që personat mbi 60 vjeç ta bëjnë vaksinimin kundër gripit. Në këtë mënyrë do të zvogëlohen komplikimet dhe fatalitetet”, ka apeluar Ramadani.

Tutje ai ka deklaruar edhe rastet me epideminë e fruthit po vazhdojnë të jenë prezentë në klinikën që ai drejton. Vetëm përgjatë këtyre tre muajve 7 persona janë ndalur për ditë të tëra shërimi në QKUK.

“Edhe në këtë vit ka pas raste me sëmundjen e fruthit. Por mund të ju them se përgjatë këtyre tre muajve të fundit kemi pasur rënie. Në muajin korrik nga sëmundja e fruthit i kemi pas gjithsejte gjashtë raste të cilat janë ndal në trajtim pasi që kanë qenë me peshë klinike të rëndë të njëjtat janë shëruar. Në gush e kemi pasur vetëm një rast që është identifikua si sëmundje. Kohëzgjatja e sëmundjes a qenë 12 ditore. Në shtator nuk kemi asnjë rast”, tha ai.

Edhe në Institutin Kombëtar në Kosovë vazhdimisht jepen rekomandime profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.