[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Miratohet buxheti i komunës së Ferizajt për vitin 2018, mbi 28 milionë e 720 mijë euro



 

Kuvendi i komunës së Ferizajt ka mbajtur sot seancën e radhës ku është miratuar buxheti i vitit të ardhshëm dhe peshon mbi 28 milionë e 720 mijë euro.

Mbledhjen e hapi kryesuesi i Kuvendit të Komunës Faruk Guri i cili në rendin e ditës propozoi edhe një pikë shtesë për përcaktimin e shumës së kompenzimit financiar për shoqatat e dala nga lufta.

Sqaroi se një vendim i marrë në këtë Kuvend në fund të muajit maj të vitit të kaluar nuk e përcaktonte edhe shumën e kompenzimit, prandaj ka nevojë që të plotësohet ky vendim edhe me shifrat e kompenzimit.

Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa në fjalën e tij sqaroi se pas themelimit të kompanisë “Ambienti” këto shoqata kanë mbetur pa të ardhura prandaj komuna e ka parë të arsyeshme që të mbulojë shpenzimet e tyre financiare.

“Kemi qenë të gatshëm dhe jemi edhe tani që të kryejmë obligimet tona financiare në bazë të vendimit të marrë këtu në Kuvend. Do ta bëjmë edhe pagesën në mënyrë retroaktive nga koha e marrjes së vendimit por na duhet të pajtohemi për shumat që duhet t’i transferojmë në secilën shoqatë përmes xhirollogarive që duhet të na i sjellin. Përkushtimi ynë për kategoritë e dala nga lufta ka qenë gjithmonë në nivelin duhur dhe nuk e kemi asnjë pengesë që t’i përmbushim obligimet e tona institucionale” tha kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa me këtë rast.

Kuvendarët ferizajas sa i përket kësaj pike të rendit të ditës votuan njëzëri për plotësimin e këtij vendimi ku u përcaktua që Organizata e Veteranëve të luftë të gëzojë ndihmë prej 650 eurove në muaj, kurse shoqata e Familjeve të Dëshmorëve , shoqata e Invalidëve të luftës dhe shoqata e të burgosurve politikë të gëzojnë nga 450 euro në muaj.

Këto shuma u tha se janë përcaktuar në bazë të një marrëveshje që kanë nënshkruar përfaqësuesit e këtyre shoqatave me kryetarin e komunës së Ferizajt para pak muajsh, por është dashur që sit ë tilla të votohen edhe në Kuvend.

Një vëmendje të madhe gjatë kësaj mbledhjeje mori edhe buxheti i vitit të ardhshëm i cili ngjalli diskutime të frytshme në mes kuvendarëve ferizajas.

Fillimisht drejtoresha për Buxhet dhe Financa Lirie Syla tregoi se buxheti i vitit 2018 është për 2 milionë e 239 mijë euro më i madh se i ky i vitit 2017.

“Ky buxhet na garanton një stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare . Planifikimet tona tregojnë se të gjitha hapat janë ndërmarrë në bazë të udhëzimeve e qarkoreve të lëshuara nga Ministria e Financave , ndërsa buxheti është një dokument përmbajtjesor i hartuar në bazë të nevojave që na kanë adresuar qytetarët nga lokalitetet e ndryshme” potencoi drejtoresha Syla.

Kuvendarët nga të gjitha grupet parlamentare e komentuan në mënyra të ndryshme buxhetin dhe përfshirjen e nevojave , ku theksuan se ka edhe projekte të rëndësishme që kanë mbetur për vitet e ardhshme. Ndërkaq në fund të mbledhjes i dhanë dritën e gjelbër buxhetit të vitit 2018 me 20 vota për dhe 8 kundër.

Gjatë kësaj mbledhjeje po ashtu u miratua edhe një kërkesë e një qytetari për shndërrimin e tokës së tij nga destinacioni bujqësor në atë ndërtimor.

Menu Title