[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ministrja Hoxha: Rruga jonë ka vetëm një drejtim – shteti ligjor dhe sundimi i ligjit  



 

Prishtinë, 28 Shkurt 2017 – Në konferencën e organizuar me temën “Angazhimi i Shoqërisë Civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në panel dhe mbajti fjalë rasti ku theksoi rëndësinë e luftimit të ekstremizmit të dhunshëm.

“Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe fuqizimi i sundimit të ligjit është rruga jonë përpara. Rruga jonë për fuqizimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik të vendit, rrugë për të ardhmen e brezave të rinj”, theksoi Ministrja Hoxha.

Një ndër hapat e parë për të luftuar këtë fenomen është që ta njohim dhe ta pranojmë si problem në shoqërinë tonë, theksoi Ministrja Hoxha, dhe vuri në dukje ballafaqimin me këtë problem në institucionet më delikate, në Qendrat Korrektuese.

“Për të luftuar këtë fenomen, Shërbimi Korrektues ka ndërmarrë masa monitoruese ndaj të burgosurve të radikalizuar si dhe kemi marrëveshje bashkëpunimi me Bashkësinë Islame”, potencoi Ministrja Hoxha, duke përfshirë këtu edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

Një ekip ekspertësh nga ICITAP-i, theksoi Ministrja, po punojnë në analizën e gjendjes sa i përket radikalizimit në burgje dhe presim të marrim rekomandime dhe një strategji për këtë çështje.

“Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është e vazhdueshme, është luftë për vlera, respekt të ndërsjellë dhe paqe. Është luftë për të ndihmuar secilin që është viktimë e ekstremizmit të dhunshëm apo që rrezikohet nga një fenomen i tillë”, potencoi Ministrja Hoxha, dhe shtoi se kjo luftë, do të fitohet vetëm me ndihmën dhe kontributin e të gjithëve, me theks të veçantë të shoqërisë civile.

“Rruga jonë ka vetëm një drejtim dhe ai është shteti ligjor dhe sundimi i ligjit, drejtim i cili kërkon punën dhe përkushtimin e të gjithëve të cilin besoj fuqishëm se do ta kemi”, potencoi Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Menu Title