.
×

Ministria e Kulturës s’ka buxhet për rritjen e premtuar të pagave për aktorët…



 

Ministria e Kulturës duke u mbështetur në një marrëveshje verbale me Ministrinë e Financave ka lidhur një marrëveshje, po ashtu verbale, me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës për rritje pagash qysh prej janarit të vitit që vjen.

 

Në fakt ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, kur ua kishte dhënë aktorëve këtë premtim, kishte shkruar edhe më tej, shkruan sot “Koha Ditore”.

 

Kishte thënë se rritja e pagave do të bëhet për të gjithë krijuesit e performuesit e kulturës dhe punonjësit e trashëgimisë kulturore në institucionet vartëse të MKRS-së. Bëhet fjalë për mbi 400 punonjës.

 

Por asnjëra prej ministrive nuk janë në gjendje të shpjegojnë se sa do të jetë rritja dhe ku do të merren mjetet. E rritja nuk është planifikuar në buxhetin e MKRS-së për vitin 2018.

 

Ministri Gashi nuk ka qenë në gjendje të flasë për shumën e rritjes së pagave e as për implikimet buxhetore që shteti do të ketë pas këtij vendimi të premtuar.

 

Ministria e Kulturës ka themeluar një komision për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për pagat e krijuesve e performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore.

 

Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se ministri i Financave, Bedri Hamza, e ka marrë përsipër për ta bërë rritjen..