[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ministria e Jashtme paralajmëron marrjen e hapave ligjor ndaj Thaçit për kthimin e ambasadorëve



Më 3 qershor bëhen dy muaj prej kur Glauk Konjufca si ministër i Jashtëm kishte kërkuar tërheqjen e shtatë ambasadorëve kosovarë nga misioni diplomatik. Por prej atëherë kjo çështje ka mbetur në dorën e Presidentit Hashim Thaçi.

Kreshnik Ahmeti, këshilltar i Konjufcës, ka thënë për Klan Kosova se janë duke shqyrtuar ndërmarrjen e hapave ligjor në këtë drejtim.

“Propozimet e Ministrit Konjufca për kthimin e shefave të misioneve diplomatike të caktuar nëpërmjet çelësit politik, e të cilët janë në një mandat të dytë i cili është i ndaluar ligjërisht, janë dërguar para më shumë se dy muajve tek Presidenti”, është shprehur Ahmeti.

“Deri më sot, nuk është ndërmarrë asnjë veprim për trajtimin e këtyre propozimeve dhe kjo neglizhencë nga Presidenti bën që të vazhdohet shkelja ligjore në këto raste”.

Sipas tij përveç mandatit të jashtëligjshëm, mosndërprerja e këtyre mandatave e mirëmban edhe një shkelje tjetër ligjore.

“Është fakti që rreth 75% e shefave të misioneve janë të caktuar politikisht, përderisa ligjërisht nuk është e lejuar që politikisht të caktohen më shumë se 50%”.

“Ne i bëjmë thirrje Presidentit që të mos e pengojë kthimin e ligjshmërisë në Shërbimin e Jashtëm dhe të bashkëpunojë për ndërtimin e një përfaqësimi sa më profesional dhe dinjitoz të Republikës së Kosovës nëpërmjet misioneve të saj diplomatike. Gji-thashtu, ne jemi duke shqyrtuar hapat ligjor të cilat do t’i ndërmarrim për ta tejkaluar këtë bllokim nga Presidenti”.

Ambasadorët tërheqjen e të cilëve e kishte kërkuar Konjufca janë: Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Greicevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.

Menu Title