.
×

Ministria e Arsimit me vendim për zëvendësimin e orëve të humbura



Botapress 11 Shkurt-Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, sot është takuar me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), me të cilët ka biseduar për shumë çështje të arsimit dhe përgatitjet për procese të rëndësishme në arsimin parauniversitar.

Ndër të tjera në takim u diskutua është mundësia e zëvendësimit të orëve të humbura gjatë grevës në arsim dhe kohën më të përshtatshme kur mund të bëhet ky zëvendësim, por edhe për zbatueshmërinë së vendimit për ndalimin e përdorimit të telefonave nga nxënësit dhe mësimdhënësit gjatë orëve të mësimit

“Pas diskutimeve të shumta dhe sugjerimeve të marra nga përgjegjësit e arsimit nëpër komuna, MAShT do të dalë me një vendim të detajuar për kompensimin e orëve të humbura. Po ashtu, me përgjegjësit për arsim në komuna biseduam rreth zbatueshmërisë së vendimit për ndalimin e përdorimit të telefonave nga ana e nxënësve dhe mësimdhënësve gjatë procesit mësimor. Theksova se vendimi duhet të zbatohet në tërësi në bazë të Udhëzimit Administrativ dhe kërkova raporte nga DKA-të rreth zbatueshmërisë së këtij vendimi”, është shprehur Bytyqi.

Ai tutje ka paralajmëruar se do të merren masa ndëshkuese dhe do të bëhen publik të gjithë emrat e shkollave, të cilat nuk marrin masa rreth zbatimit të këtij vendimi. Ndërsa ka përgëzuar komunat, të cilat janë duke e zbatuar vendimin, në veçanti komunën e Hanit të Elezit, komunë në të cilën në dy ditët e para të hyrjes në fuqi të vendimit, janë konfiskuar rreth 60 telefona.

Po ashtu në këtë takim është diskutuar për rastet e dhunës apo keqpërdorimeve nëpër shkolla. Bytyqi ka thënë se mësimdhënësit pa integritet duhet të identifikohen sa më parë dhe se për të tillët nuk do të ketë vend në institucionet arsimore.

Lidhur me këtë çështje, në takim është vendosur që nëpër të gjitha institucionet arsimore të vendosen kutitë e ankesave, të cilat do të menaxhohen nga Inspektorati i Arsimit.