.
×

Ministri i FSK-së Rrustem Berisha priti në takim zëvendës-ndihmës Sekretaren e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve zonjën Laura Kuper



Ministri i FSK-së, zotëri Rrustem Berisha e ka pritur sot në takim zyrtar ndihmës-sekretaren Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, zonjën Laura Kuper (Laura Cooper), me bashkëpunëtorë.

 

Në takim ministri Berisha ka falënderuar zonjën Kuper dhe SHBA-të për ndihmën e madhe që kanë dhënë për Kosovën dhe veçanërisht për FSK-në.

Ai ka vlerësuar lartë shkallën dhe dinamikën e bashkëpunimit në mes të MFSK-së dhe SHBA-ve, veçanërisht bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Me këtë rast, ministri Berisha e ka falënderuar zonjën Kooper për donacionet, trajnimet, shkollimet dhe ushtrimet e përbashkëta të realizuara deri më tani, e që përbëjnë esencën e këtij bashkëpunimi të cilin duhet thelluar edhe më tej.

Po ashtu ministri Berisha e ka njoftuar zyrtaren e lartë nga SHBA-të, me aktivitetet aktuale, planet e zhvillimit, sfidat si dhe procesin e zhvillimit dhe aktiviteteve konkrete për  transformim e FSK-së në FAK.

Ndërsa nga ana e saj zonja Laura Kuper u shpreh se ndihet e kënaqur kur dëgjon edhe vet për arritjet dhe sukseset e FSK-së e posaçërisht kur je kontribuuese e këtyre sukseseve.

Ne e duam Kosovën të lirë, të pavarur dhe me prosperitet. Më vjen mirë që kemi vizion të ngjashëm me ju për të ardhmen e Kosovës, po ashtu është edhe detyra e jona të ndihmojmë në realizimin e këtyre objektivave. Me rëndësi që të merret angazhimi i të gjithë faktorëve të rëndësishëm për këto ndryshime, e në këtë rast edhe i komunitetit jo shumicë.

Në vazhdim të takimit punues, është vlerësuar bashkëpunimi i deritashëm, ku është propozuar që të përqendrohet në bashkëpunim konkretë, me fokusim në fusha dhe pika ku SHBA-të do të japin kontributin e vet në ngritjen dhe profesionalizimin e FSK-së.

Ky bashkëpunim kërkon nga dy palët që ta bazojnë mbi rangimin e objektivave sipas prioriteteve.

Në takimin e përbashkët të dy delegacioneve merrnin pjesë edhe zëvendësministrat Brahim Mehmetaj dhe Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendës komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, gjenerali Zymer Halimi, z. Faruk Geci, si dhe stafi i lartë i FSK-së.

Ndërsa, zëvendës-ndihmës Sekretaren e Departamentit të Mbrojtjes, zonjën Kuper (Cooper)  e shoqëronin: kolonelët Kevin Hill dhe Jeffrey Fischer, nënkoloneli Walter Richter, majorët: Jerimiah Wildermuth, Juan Murillo, Brian Devlin dhe Josh Rubin.