.
×

Ministri i AAK’së thotë se nuk e ka kundërshtuar Haradinajn, tregon a i doli paga me rritje



 

Botapress, 2 Korrik

Ministri i FSK’së, Rrustem Berisha, thotë se nuk ka refuzuar ta marrë pagën me ngritje, duke larguar vetën nga lista e ministrave që kundërshtuan të marrin pagën e rritur 100 për qind.
Ditë më parë u përhapën lajme se ministri i FSK’së, Rrustem Berisha kishte refuzuar rritjen e pagës, vendim i cili ishte marrë nga kryeministri Haradinaj. Por një gjë të tillë e ka demantuar sot ministria që drejton Berisha, nëpërmjet një komunikate për media.

Sipas komunikatës e vërteta është se nga MFSK-ja, departamenti përkatës, nuk është kryer procedimi për rritjen e pagave për muajin qershor, sipas vendimit të Qeverisë Nr 4/20 dat 20.12.2017, për shkak se procedimi i pagave në MAP dhe MF për MFSK-në është bërë më 8.06.2018, kurse vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dalë më datë 11.06.2018.

“Arsye tjetër e mosprocedimit ka qenë edhe moskomunikimi zyrtar dhe administrativ përmes shkresave zyrtare në mes MAP-it, MF-së dhe ministrive përkatëse. Kjo procedurë e ngritjes së pagave do të kryhet me efekt retroaktiv sipas datave dhe afateve që parasheh vendimi i Qeverisë”, thuhet në komunikatën e MFSK-së.

Ministri i Financave, Bedri Hamza edhe në mbledhjen e qeverisë kur ishte votuar për këtë vendim kishte abstenuar. Ndërsa pas shumë komenteve që u bën për Hamzën dolën edhe dy ministrat tjerë të PDK’së, Abelard Tahiri dhe Besim Beqaj që nuk e dëshën pagën me rritje.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat kabinetit qeveritar. Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.

Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro.