[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ministri Hoti: Ministria e Financave është në finalizim të pakos së re fiskale 2.0  



“Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që gjendem këtu me ju sot dhe gjithashtu të falënderoj Këshillin e Investitorëve Evropian për ftesën që të jem pjesë e këtij eventi, për të shpalosur progresin tonë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. E vlerësoj lart bashkëpunimin që kemi me Këshillin e Investitorëve Evropian drejt përmirësimit të ambientit biznesor në Kosovë”, tha ministri Avdullah Hoti sot në “Dialogun për Investime” të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian.

Ai bëri të ditur se në shtator të vitit të kaluar Ministria e Financave ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ përmes të cilit është liruar nga tatimi doganor Petrol Koksi, si një prej çështjeve të diskutuara në Raundin e Parë të Platformës së Dialogut për Investime, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian dhe si kërkesë e vazhdueshme nga komuniteti i bizneseve.

“Bashkërisht me Petrol Koksin ne kemi liruar edhe disa produkte tjera që përdoren në procesin e prodhimit me ç ‘rast kemi përmbushur edhe një obligim ndërkombëtar, në kuadër të Komunitetit të Energjisë, anëtare e të cilit është Kosova”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se  Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka adresuar edhe çështjen e Evaporimit të naftës dhe si rezultat është përfshirë si masë e veçantë në pakon fiskale 2.0, ku do të trajtohet njohja e humbjeve edhe për produktet tjera.

Ministri Avdullah Hoti poashtu theksoi se Ministria e Financave ka trajtuar edhe formën e tatimimit të kompanive të sigurimeve dhe kjo do të adresohet gjithashtu si masë e veçantë në pakon fiskale 2.0.

Ministri Hoti, me këtë rast prezantoi progresin e arritur në Ministrinë e Financave, ku theksoi se me reformat e pakos së parë fiskale janë bërë përmirësime të shumta në ambientin e të bërit biznes. Ai gjithashtu theksoi se Ministria e Financave është në finalizim të  pakos së re fiskale 2.0, e cila përmban një sërë masash, të cilat kanë ardhur si rezultat i kërkesave të bizneseve, gjatë komunikimeve dhe takimeve të organizuara me ta. Këto reforma do të përmirësojnë në masë të madhe ambientin e të bërit biznes.

 

Menu Title