.
×

Ministri Bedri Hamza ia “ndal turrin” Haradinajt në shpenzimet e rezervave të shtetit!



 

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk po tregohet aspak i “mëshirshëm” me rezervat buxhetore të shtetit.

 

Vetëm në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar u mor vendim të ndahen gjysmë milioni euro për shënimin e aktiviteteve me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

 

Ndërsa për tre muaj në total janë shpenzuar mbi dy milionë euro, nga 4 milionë e 800 mijë sa është paraparë të jetë shuma e rezervave shtetërore për këtë vit, shkruan tutje “Zëri“.

 

Shpenzimet e tilla e detyruan të premten ministrin e Financave Bedri Hamzën që mbledhjen e kabinetit qeveritar ta fillojë me një lutje për ministrat, që me kohë t’i planifikojnë ngjarjet dhe t’i vendosin në buxhetin e ministrisë së tyre.

 

“E para, për të gjitha ngjarjet që do të ndodhin i lus të gjithë ministrat t’i planifikojnë dhe t’i vendosin me kohë në buxhetin e ministrisë së tyre. E dyta, nga çdonjëri prej neve që ka nevojë për rezerva të respektohet afati dhe e treta, duhet të kihet kujdes për kërkesat e ardhshme për shkak se gjendja e rezervës është duke shkuar nga fundi”, kishte thënë Hamza në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

 

Ekspertët e ekonomisë alarmojnë se është shumë e pazakontë që rezervat buxhetore të shpenzohen në fillim, pasi ato janë të parapara deri në fund të vitit.