.
×

Ministrave e zv.ministrave do t’ju ndalohet t’i mbajnë dy vende pune



Botapress 22 Maj- Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë se me Ligjin për Qeverinë, nuk do të ketë më shumë se 15 ministri dhe nuk do të ketë më shumë së dy zëvendësministra, dhe se nuk do të ketë më punë të dytë, siç ndodh tani të jenë ministra dhe të ushtrojnë edhe profesionin e profesorit.

Tahiri theksoi se si grup punues janë duke u mundur që të marrin mbështetje politike sa më të gjerë sa i përket këtij ligji.

“Faktikisht ligji ka marrë miratimin e grupit punues, tash kemi disa procese formale që të përcjellët në Qeveri, për momentin kemi konsultime të brendshme,me kryeministrin, po ashtu kam pasur takim edhe me përfaqësuesit e BE-së, ku kam prezantuar draft ligjin, sa i zvogëlon ministritë, sa zëvendësministra , cila është forma, logjika, pastaj kalon në diskutim publik, ku i thërrasim shoqërinë civile për diskutime”, u shpreh Tahiri për Telegrafin.

Koordinatori Nacional tregoi se konsultimet publike do të zgjasin dy javë, dhe pasi të merren komentet do të shkohet në votim.

Tahiri shpjegoi më gjerësisht së cila është logjika e Ligjit për Qeverinë.

“Logjika e ligjit është se i mbanë parimet e qeverisjes së mirë, përcjell modelet e vendeve që janë anëtare të BE-së me sistem parlamentar si ne. Nuk do të ketë më shumë se 15 ministri, dhe nuk do të këtë më shumë se 2 zëvendësministra dhe ata do të kenë portfolio. Me ligjin e ri nuk do të ketë punë të dytë, s’do të jetë edhe ministër edhe profesorë, e kemi rregulluar transparencën”, sqaroi ai.

Për Ligjin e Qeverisë, Tahiri tha se ka pasur diskutime me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin dhe ministrin e Financave, Bedri Hamzën.

Tahiri tha se pret që Ligji për Qeverinë të kalojë me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.