.
×

Milionat e Kuvendit të Kosovës që “kalben” në Gërmi!  



Deri më tash në Qendren Protokolare të Kuvendit të Kosovës në Gërmi janë shpenzuar rrumbullak 1,789,179.90 euro (Një milion e shtatëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë euro e 90 centë!

Shqipe Osmani Bota press, 30 mars

 

Qendra Protokollare e Kuvendit të Kosovës po i “mbush” dhjetë vjetë prej se ka nisur të ndërtohet por deri më tash përveç se janë investuar gati 2 milionë euro, ajo ka mbetur shkret vetëm në disa mure të vrazhda. Pas ndërprerjes së punimeve, Kuvendi i Kosovës ka ndarë mjete simbolike për mirëmbajtjen e këtij objekti, por të cilat më pas janë bartur në projekte të tjera.

Udhëheqsia e Kuvendit dhe qeveritë në vazhdim nuk kanë shprehur interes për vazhdimin e punimeve të këtij objekti në ndërkohë që aty tashmë janë derdhur gati 2 milionë euro.

Ismet Krasniqi,sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, bënë të ditur për Botapress se nuk dihet nëse do të fillojë puna në vazhdimin e punimeve të  Qendrës Protokollare në Gërmi, por konfirmon se në buxhetin e Kuvendit për vitin 2015 për këtë qendër janë ndarë mjete me vlerë prej 10 mijë euro e të cilat më pas janë ri destinuar. “Ju njoftoj se me Buxhetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2015, kanë qenë të planifikuara për Villa Gërminë 10 mijë euro, mirëpo të njëjtat bazuar në nenin 7.2 të këtij Ligji, për shkak të obligimeve kontraktore në projektin Rifreskimi dhe pavaresimi i sistemit të TIK-ut (e-Parlamenti) për nevojat e Kuvendit të Kosovës janë bartur janë ridestinuar në këtë projekt”, është shprehur për Botapress, sekretari Krasniqi.

Sipas tij, mjete për Qendrën Protokollare në Gërmi janë ndarë edhe për vitin 2014, e të cilat po ashtu me një vendim të Qeverisë janë shkurtuar.“Buxheti i vitit 2014 për projektin Villa Gërmia ka qenë 80.000 Euro, por të njëjtat janë shkurtuar me Vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 01/204 të datës 05.11.2014:, bënë të ditur Krasniqi.

Ndërkaq sa i përket çështjes së ri fillimit të punës në ndërtimin e Qendrës Protokollare, Krasniqi,për Botapress tha se për këtë vendimin e merr Kuvendi.

Objekti i Qendrës Protokollare administrative në “Gërmi” ka mbetur i shkretë tash një dekadë. Nisi të ndërtohet në vitin 2005 nga ish-kryeparlamentari, Nexhat Daci, i cili asokohe nuk kishte respektuar asnjë procedurë për ndërtimin e saj. Projekti ideor i qendrës është pranuar me 3 qershor 2004 ,kurse fillimi i punimeve të këtij  projektit ka filluar me 18 mars të vitit 2005. Projekti ideor ka kushtuar 98.500,pagesa është realizuara në vitin 2004, punimet e realizuara deri më tash kanë kushtuar 1,651,832.86 euro, pagesa të realizuara në vitin 2005. Për mbikëqyrjen e punimeve janë shpenzuar 23,000 euro, pagesa të cilat janë realizuara në vitin 2005,dhe për kërkime në terren në vitin 2005 janë realizuar pagesa në vlerë prej 13,213,50 euro dhe për revidimin e projektit në vitin 2009 janë bërë pagesa në vlerë prej 2,633.54. Pra ,gjithsej pagesa të realizuara për këtë projekt janë 1,789,179.90 euro. Meqenëse ekziston vendimi i Kryesisë për vazhdimin e punimeve nga viti në vit , në projekt buxhet ndahet edhe linja buxhetore për ndërtimin e kësaj qendre të cilat shpenzohen në linja të tjera.