.
×

Mësuesja heq gjithë flokët për t’u solidarizuar me nxënësen e saj



​Një mësuese në Teksas ka bërë një gjest të madh, ka prerë flokët për ta mbështetur nxënësen e saj e cila ishte pre e ngacmimeve, për shkak se kishte flokët e shkurta.

Shannon Grimm ka thënë se njërën nga nxënëset e saj, e kanë ngacmuar nxënësit tjerë për shkak të flokëve dhe e kanë quajtur atë djalë. Kur ajo ka filluar mësimin në këtë shkollë, Priscilla ka mbajtur një kapele në kokë dhe mësuesja nuk e ka ditur arsyen.

“Ajo e mbante kapelën gjithë kohën dhe nuk isha e sigurt pse po e mbante atë, deri pas një jave kur më tregoi se ajo kishte flokë të shkurta dhe kjo gjë nuk i pëlqente.  Ajo nuk donte që të dukej si djalë, donte të kishte flokë të gjata si vajzat tjera. Në këtë pikë ajo filloi të qante dhe nuk vinte në shkollë sepse ishte e lënduar”, ka thënë mësuesja.

Grimm ka provuar të gjitha mënyrat për ta parandaluar bullizmin. Ajo madje iu ka treguar nxënësëve të saj fotografi të të famshmeve me flokë të shkurta, për t’i bindur ata se edhe vajzat i mbajnë flokët e shkurta, por siç ka thënë ajo asnjëra nga këto opsione nuk ka pasur efekt.

“U zgjova një mëngjes dhe thashë se do t’i presë flokët e mija. Duhet t’i prej flokët e mija. Kjo është rruga e vetme. Unë jam pjesë e jetës së tyre që ka shumë ndikim dhe shumë e rëndësishme për ta. Takohem me ta çdo ditë. Mendova se kjo do të ketë një impakt dhe e bëra atë”, ka thënë ajo.

Nxënësit e saj ishin të befasuar në fillim, por më vonë e kanë kuptuar se çdo kush mund t’i mbajë flokët e shkurta.

“Disa nga ta mbetën të shokuar, sepse më kanë parë me flokë të gjata. Disa nga ta më thanë se dukesh shumë bukur”, ka shtuar ajo. Mësuesja ka thënë se e ka bërë këtë ndryshim drastik, sepse vlerëson se nxënësit duhet të mbështeten moralisht.

“Raporti jonë me nxënës është një nga gjërat më të rëndësishme në klasë. Nëse nuk keni raporte të mira me ta, nëse ata nuk ju besojnë, nuk ndihen të sigurt në klasë, ata nuk do të duan të mësojnë dhe nuk do të arrini t’i shtyni ata në nivel tjetër dhe t’i nxisni ata që të jenë të suksesshëm në klasë”, ka thënë Grimm.

Në fund ajo ka thënë se nëse nuk ndërtoni raporte të mira me nxënësit tuaj, ata nuk do të kenë besim te ju dhe nuk do të flasin me ju, kështu që probleme të mëdha do të lindin.