[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Mësoni më shumë për heroinën Fatime Fetai (Video)



Fatime Fetai, prokurore speciale, kohëve të fundit është kthyer në idhull të shumë femrave falë arritjeve të mëdha në karrierën e saj. Ajo nuk lindi prokurore por për të arritur këtu ku është sot asaj iu deshën të kaloj një sërë sfidash e peripecish. Fatime Fetai është nënë e dy fëmijëve, ajo ka lindur dhe është rritur në fshatin Negotinë të Gostivariit në një familje të klasës punëtore, njofton Alsat-M. Ajo është martuar në moshën 17 vjeçare por ky hap i saj në moshë kaq të re nuk e luhati besimin e saj në vete se ka potencial për të qenë e pavarur si në aspektin profesional edhe në atë personal.

“Periudhën e shkollës së mesme e kalova në fshatin Bogovinje në Tetovë, ku edhe u dashurova me një sykaltër. U martova në moshën 17 vjeçare, martesë e cila ende është gjallë faktike dhe legale, edhe ngjyra e syve vazhdon të jetë e njëjte”, thotë Fatime Fetai.

E vetëdijshme për sfidat me të cilat duhet të ballafaqohet por përtej këtij fakti qëndronte vetëbesimi se kurrë nuk do dorëzohej pavarësisht çmimit që do duhej ta paguante për t’i ndjekur ëndrrat e saj.

“Jam lindur si fëmijë i tretë si bija e Smiljanës dhe Nafiut. Në mjedisin ku unë u bëra nuse jeta ime martesore filloi me veshjen e teshave tradicionale, ose si i thonë nga ne “dimijave”. Me seriozitet e fillova jetën e amvisës. Vendosa unë ta udhëheq jetën jo jeta mua. Doja t’i tregoja vetës por edhe tjerëve se një grua edhe në atë mjedis koservativ, paramendoni në atë periudhë të mbash syza dielli shikohej si gabim i madh. Pra një edhe grua që vjen edhe nga ai mjedis nëse ka dëshirë të pastër para saj nuk qëndron asnjë kufi që e ndalon të arrij qëllimet e saj”, shprehet Fatime Fetai.

Ajo regjistroi fakultetin e drejtësisë në Shkup si studente e çrregulluat. Pasi përfundon dy vitet e para të studimeve vjen në jetë fëmija saj i parë. Pa hyrë shumë në detaje Fatime Fetai tregon se sa e vështirë është t’i përballosh gjithë këto në të njëjtën kohë. Megjithëse ajo nuk dorëzohet, pasi kryen studimet fillon të punojë si vullnetare në Gjykatën Themelore në Tetovë. Në moshën 26 vjeçare Fetai u përzgjodh të jetë pjesë e Prokurorisë Publike në Shkup, ajo përzgjedhjen në këtë institucion e quan fat të madh pasi pikërisht nga këtu vazhdoi rrugën e saj në Prokurorinë Speciale Publike. Tani ajo është një ndër personazhet kryesore në institucionin që mbron fuqishëm drejtësinë në vend.

“Në këtë luftë hyra kur djali im i dytë ishte vetëm 4 muajsh. Këtë moment nuk e theksoj rastësisht por e përmend që të jetë një motivim për të gjitha ato femra të cilat lindjen e fëmijëve e shikojnë si pengesë për të ecur përpara në karrierë”, shton Fetai.

Fetai apelon deri tek të gjitha femrat që të mos përkulën para pengesave dhe vështirësive por t’i marrin ato thjeshtë si sfida. Ajo rrëfimin e saj e përmbyll me një mesazh shumë domethënës: Mos u mundoni të jeni më të mirë se të tjerët gjithmonë duhet të jemi versioni më i mirë i vetës sonë.

Menu Title