.
×

Më 26 nëntor nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë



Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj për të diskutuar për bashkëpunimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për taksën prej 10% të cilën e ka vendosur qeveria e Kosovës për produktet e Bosnjës dhe Serbisë.

“Sot e patëm një diskutim edhe për disa nga temat që lidhen me orientimet strategjike tonat, që lidhen me bashkëpunimin me vendet e tjera sidomos me Shqipërinë për krijimin e rrugëve bilaterale. Ne e kemi përkrahe taksën për produktet nga Serbia dhe Bosna duke u nisur jashtë kontekstit politik dhe në të njëjtën kohë jemi angazhuar që të i eliminojmë barrierat me Shqipërinë” tha Rukiqi.

Ndërsa zëvendëskryeministri Fatmir Limaj bëri të ditur që bashkëpunimi me Shqipërinë do të thellohet edhe më shumë pas 26 nëntorit.

“Ne jemi për të bashkangjitur iniciativën për formimin e odës së përbashkët Kosovë-Shqipëri. Është përgjegjësia e ime dhe e qeverisë së Kosovës mbikëqyrja e arritjes së marrëveshjeve dhe hapja e fushave të reja të bashkëpunimit. Me 26 nëntor do të jemi të gatshëm që dy odat tona ta nënshkruajnë bashkëpunimin, ne kemi probleme dhe nuk jemi të kënaqur me bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri. Jemi duke pritur përgjigje nga qeveria e Tiranës për disa nga çështjet duke përfshirë edhe taksën rrugore e cila është shumë e lartë dhe dëmton bashkëpunimin dhe kërkesa jonë ka qenë zbutja e taksës”, tha ai.

Limaj po ashtu përmendi edhe masën 10 % për të cilën tha se ka qenë një vendim i duhur sepse Serbia vazhdimisht ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-së.