.
×

Mbyllet Gazeta “Tribuna”



Edhe një medium të shkruar në Kosovë i erdhi fundi. Gazeta “Tribuna” do të dalë në treg vetëm deri në fund të këtij viti, kurse nga janari i vitit 2015 planifikohet të jetë si medium online.

Express merr vesh se javën e kaluar ky medium, që drejtohet nga Sejdi Demiri u ka ndërprerë kontratën dhjetë punëtorëve. Konfirmimin për largim nga puna sot e kanë marrë disa nga ta, derisa në ditët në vijim pritet të lajmërohen edhe pjesa tjetër.

Pjesë e Gazetës “Tribuna” nuk do të jetë edhe kryeredaktori Arben Ahmeti.

Telashet me këtë medium kanë nisur ditë më parë, kur redaktori i ekonomisë Zekirja Shabani pati paralajmëruar padi, pasi siç thuhej nuk kishin marrë paga për dy muaj rresht.

Express ka provuar të flas me Sejdi Demirin për ta pyetur rreth arsyeve që po e çojnë këtë medium drejt mbylljes, por kontakti me të ka qenë i pamundur.