.
×

Mbipopullimi i qelive të burgut në Shqipëri



Gjendja alarmante e mbipopullimit të burgjeve dhe mbushja e qelive të paraburgimit me abuzues apo debitore të energjisë elektrike, ka shtyrë zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të kërkojnë nga Ministria e Drejtësisë, nisjen e procedurave ligjore për amnisti.

Ky fakt konfirmohet nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Bledar Skenderi, gjatë një prononcimi për ABC Neës. Skenderi thotë se për festën 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë është kërkuar miratimi i një ligji për dhënie amnistie.

Sipas zëvendësdrejtorit, është i nevojshëm miratimi i përshpejtuar i këtij ligji për të ulur mbipopullimin në burgje, që numëron rreth 1400 persona mbi kapacitetin e lejuar. Në këtë shifër, sipas burimeve zyrtare, nuk janë përfshirë personat e arrestuar 4 ditët e fundit, në të gjithë Shqipërinë për abuzim me energjinë elektrike.

Lidhur me kërkesën zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për ligjin e amnistisë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço nuk pranoi të komentoj.

Nga ana tjetër në mars të këtij viti, me propozim të këtij institucioni dhe qeverisë së Shqipërisë, Kuvendi miratoi ligjin për “dhënien e amnistisë”, ku përfituan rreth 800 të dënuar dhe paraburgosur. Gjithashtu ekzekutivi ka bërë edhe një tjetër amnisti gjatë festave të nëntorit të vitit të kaluar, me qellim lehtësimin e mbipopullimit në burgje.