.
×

Mbi 200 kosovarë dyshohet se blenë diploma në “Kristal”



 

 

Janë mbi 200 kosovarë që dyshohet se blenë diploma në Universitetin “Kristal”, për të cilat paguan mijëra euro, por letrat e tyre të marra në këtë biznes privat nuk do të njihen në Kosovë. Gazeta Insajderi sjell fakte që Qeveria kosovare e dinte që në vitin 2016 që këto diploma ishin të pavlefshme, por megjithatë dolën raste që këto diploma dikush do të kapte edhe pozita të larta shtetërore, si kryetar bordi

Mbi 200 kosovarë dyshohet se blenë diploma në “Kristal”

Janë mbi 200 kosovarë që në një periudhë disa vjeçare dyshohet  se kanë blerë diploma në universitetin “Kristal” në Tiranë, një universitet licenca e të cilit u pezullua fillimisht në vitin 2012, për tu mbyllur dy vite më vonë nga qeveria e Edi Ramës, nën dyshimin se i shiste diplomat.

 

Të martën, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë arrestuar pronarin e universitetit “Kristal”, Ahmet Muçaj, i dyshuar për veprën penale korrupsion pasiv në sektorin privat.

 

Ai u kap duke ia dorëzuar një shtetaseje shqiptare një diplomë të nivelit bachelor, Dega Drejtësi, me ryshfet. Muçaj është arrestuar menjëherë sapo ka shkëmbyer diplomën me shumën e parave.

 

Qindra kosovar që dyshohet se blenë diplomat e tyre në “Kristal”, viti i parë akademik në këtë universitet u ka kushtuar 5 mijë euro, ndërsa vitet tjera të studimeve u kanë kushtuar nga 4 mijë e 500 euro.

 

 

 

 

Në dokumentet që ka siguruara Gazeta Insajderi në fund të viti 2016, ishte mbajtur një takim i Këshillit Shtetëror për Njohje barasvlerë të diplomave thuhet se aplikimet e kosovarëve që morën diploma në “Kristal” për njohjen e tyre në sistemin kosovarë marrin përgjigje negative.

 

“Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kemi marrë përgjigje zyrtare se diplomat nga institucioni privat i arsimit të lartë “Kristal” nuk konsiderohen të vlefshme nga MAS në Shqipëri”, thuhet në këtë dokument që e posedon Insajderi.

 

Ky këshill konstaton se vendimi i Ministrisë së Arsimit në Shqipëri vije nga vendimi i këshillit të ministrave shqiptar që e mbyll këtë biznes, Universitetin “Kristal”.

 

Sipas këtyre dokumenteve të siguruara nga Insjaderi te biznesi i AhmetMuçaj janë 220 kosovarë që dyshohet se kishin blerë diplma.

 

Kështu, në “Kristal” diploma bachelor për studime për infermieri morën 92 kosovarë, 12 të tjerë që bënë master në farmaci, 29 të tjerë përfunduan studimet fillestare si laborant mjekësor, 6 persona bënë master në stomatologji aty, 13 kosovarë të tjerë përfunduan ose master profesional në edukim ose bachelor në art vokal dhe morën diploma të nivelit të parë në menaxhim biznesi.

 

Numri më i madh i kosovarëve që morën diploma në “Kristal” është në drejtimin master profesional në shëndetësi publike dhe menaxhim spitalor si dhe master i shkencave në menaxhim të shëndetit publik.

 

Gjithsej 63 diploma të tilla.

 

Gazeta Insjaderi posedon tërë listën e personave që kanë diplomuar në “Kristal” dhe kanë aplikuar për nostrifikimin e diplomave të tyre.

 

 

 

 

Në këtë këshill shtetëror ishte parashtruar dhe pyetja se a mundet këta kandidatë që morën diploma e paguan para të majme për “Kristalin” që i sjellin aplikimet veç e veç, por përgjigja ishte se që “nuk është e nevojshme që lëndët e kandidatëve të paraqiten individualisht duke qenë se arsyeja e marrjes së vendimin për mosnjohje është po e njëjta”.

 

Pra, përgjigja për secilin që do të aplikonte me një diplomë “Kristali” do të ishte negative.

 

Por, mosnjohja e diplomave nga “Kristali” nuk e kishte penguar Arsim Berishën që të kapte postin e  kryesuesit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave është një prej shumë njerëzve që posedon një diplomë nga ky biznes i mbyllur në Shqipëri.

 

Më 28 tetor të vitit 2016, Berisha ka marrë përkrahjen e shumicës parlamentare që ishte udhëhequr nga koalicioni PDK-LDK.

 

Insajderi pati zbuluar se qeveria dhe parlamentarët në tetor të vitit 2016 ishin në dijeni se diploma e Berishës e marrë në “Kristal” ishte e pavlefshme. Ishin në dijeni që nuk ishte e nostrifikuar nga Ministria e Arsimit në Kosovë.

 

Përkundër diplomës së dyshimtë, Qeveria e udhëhequr atëherë nga Isa Mustafa dhe Kuvendi i udhëhequr nga Kadri Veseli kishin përzgjedhur që të procedonin me emërimin e Berishës në krye të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

 

Deri në kohën e emërimit në këtë post të lartë, Berisha ishte një zyrtar i degës së LDK-së në Klinë.

 

Ndryshe Arsim Berisha, vazhdon i patrazuar punën e tij si kryesues i bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

 

 

Gjatë mbulimit të një protestë të rreth 50 ish-studentëve kosovarë të diplomuar në Universitetin “Kristal” që nuk po nostrifikoheshin në shkurt të viti të kaluar ishte raportuar që këtij grupi të diplomuarish, ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, u kishte premtuar njohjen e diplomave.

 

Universiteti “Kristal”, në Shqipëri është mbyllur në gusht të vitit 2014, bashkë edhe me 17 universitete tjera private.

 

Të bëmat e “Kristal”-it kishin bërë çuditur edhe mediat në Itali. Renzi Bossi, djali i një ish-kryetari partie në Itali, kishte diplomuar në “Kristal”. Nuk e kishte ditur asnjë fjalë shqip dhe nuk kishte shkelur asnjëherë në territorin e Shqipërisë. /