.
×

Maxhun Smajli: Në 11 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës



Në 11-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt, në Munih, Deputeti i Parlamentit të Oberbayernit, Ztr. Ing. Deli Balidemaj, ka organizuar “Tubim me komunitetin”. Në vazhdën e shënimit të kësaj date të rëndësishme historike për popullin shqiptarë, ztr. Ing.

Deli Balidemaj, shprehi mirënjohjen dhe falinderimin për kontributin e komunietit shqiptarë dhënë në zgjedhjet e 14 tetorit të 2018-tës, në të njëjtën kohë thirri komunitetin shqiptarë për bashkpunim në të gjitha fushat e veprimtarisë, si e vetmja mundësi për të ecur drejt sukseseve. Veprim ky, që sipas ztr. Ing. Deli Balidemajt, do të “dëshmojmë para popujve tjerë se, popullit shqiptarë është popull me vlera të larta”.   Ky takim u vequa për praninë e intelektualëve të shumtë, si nivel i lartë elitar, që veprojnë në Republikën e Bayernit; mjek, jurist, inxhinier, gazetar dhe afarist të njohur shqiptarë.

Këtë “Tubim me komunitetin” e shpalli të hapur, gazetari dhe ish reporteri i luftës, Maxhun Smajli, i cili mes tjerash, tha:”Në Republikën e Bayernit jetojnë rreth 120.000 shqiptarë, në mesin e tyre edhe shumë emra të njohur të profileve të ndryshme, si; mjek, ingjinjer, jurist dhe afarist të suksesshëm etj.. Njëri prej të cilëve është edhe, ztr. Ing. Deli Balidemaj, emër ky që për disa javë e vuri në veprim komunitetin shqiptarë; shoqata, institucione dhe shqiptarë të shumtë, ishin angazhuar për të dalë faqebardhë në zgjerdhjet e 14 tetorit 2018, me ztr. Ing. Deli Balidemajn, për Kandidat për në Parlamentin e Oberbayernit. Ky malësor, me ato tiparet e hijshme fizike e morale të një malësori të Alpëve shqiptare, po bënë që komuniteti shqiptarë të ndihet krenar me të”.

Ndërsa, në fjalën e tij përshëndetëse, ztr. Ing. Deli Balidemaj, mes tjerash, tha: “Zonja dhe zotrinjë, të dashur familjarë, mirë se keni ardhur dhe faleminderit për pjesëmarrje në tubimin tonë: “Takim me komunitetin!”  Në këtë ditë të veçantë të popullit shqiptarë të Kosovës, po shpreh mirënjohjen dhe falinderimin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që ma keni ofruar në zgjedhjet e 14 tetorit të 2018-tës. Mbështetje kjo që ma bëri të mundur të dalë fitues në zgjedhjet për në Parlamentin e Oberbayernit. Me këtë fitore nuk fitova vetëm unë. Ashtu, siq kemi shkuar së bashku, edhe fituam së bashku.

Mbështetja e juaj, m’i hapi rrugët për tek fitorja bindëse; më i votuari në këto zgjedhje. Kjo pozitë e arritur me aq mund e sakrificë, është nder dhe privilegj, por edhe detyrë dhe përgjegjësi e madhe për mua. Ngase, më duhet t’i realizoj me nder premtimet e dhëna.

Rolit tim i shtohet më tepër puna dhe sakrifica, kur kujtoj se duhet të jem shëmbull i mirë për gjeneratat e reja; duke iu treguar dhe trasuar rrugën në të mirë të shoqërisë, e sidomos bashkëkombasve tanë, si pjesë e këtij vendi dhe kësaj shoqërie.

Gjeneratat e reja duhet ta kenë të ditur se, ne, si të huaj që jemi, kemi ngarkesa dhe obligime të dyfishta; përballë shoqërisë ku jetojmë dhe komunitetit tonë në përgjithësi, duke dëshmuar se edhe ne jemi popull me vlera dhe mundemi të dëshmojë me kontributin tonë.

Ne, duhet të dëshmojmë se jemi qytetar të mirë e të ndërgjegjshëm, duke dhënë shumë nga vetja e jonë për vendin ku jetojmë e veprojmë, por edhe për atdheun; për vendin ku jemi rritur e shkolluar, apo gjeneratat e reja, për vendlindjen e etërve të tyre, të cilët assesi nuk guxojnë t’i harrojnë gjuhën, kulturën, historin dhe traditën e të parëve të tyre.

Sa më të fortë dhe të suksesshëm që të jemi, aq më shumë do kemi mundësi t’i forcojmë edhe Trojet tona, Kombin tonë. Pra, nëse ne, integrohemi në shoqërinë ku po jetojmë, edhe mund të bëhemi faktor me ndikim i kësaj shoqërie. Pra, duke u integruar si duhet në këtë shoqëri, por edhe duke mos e lënë anash dashurinë për atdheun, ne do realizojmë idealet e prindërve, gjyshërve dhe gjithë atyre që dhanë jetën për tokat tona, për popullin tonë.

Të gjithë e dimë se, kur morëm rrugën drejtë vendeve të huaja, duke lënë pas shtëpi e familje, lam edhe një pjesë të zemrave tona. Dhe, secili prej nesh është përballur me vështirësi të shumta për të arritur deri këtu ku jemi, sot. Me vështirësi të tilla jam përballur edhe unë, por sa herë kujtoja vendin tim, më vinte forca dhe guximi për të marshuar përpara.

Si për çdo kënd, që vendi i huaj është me të pa njohura dhe të pa ditura, edhe për mua fillimjeta në Gjermani ishte me të pa njohura dhe të pa ditura, si; gjuha, kultura, rendi, ligji e shumë të tjera. Por, kur është vullneti, dëshira dhe vëndosmëria për të marshuar përpara, nuk mungon as fitorja. Dhe, ashtu si unë dhe ju, jemi fitues. Prandaj, edhe si fitues jemi sot, këtu!

Me punën dhe vendosmërinë tonë, ne treguam vlerën tonë. Larguam çdo paragjykim për ne dhe vendin tonë. Ne, që jemi, këtu, por edhe të tjerë që nuk kanë mundur të vijnë, nuk turpërohemi të tregojmë se kush jemi dhe prej nga vimë.

Dikur, jo shumë moti, pushtuesi serb, duke ushtruar dhunë dhe terror mbi ne, na dëboi nga vatrat tona, që si qellim pati zhdukjen dhe asimilimin e popullit shqiptarë. Por, ne, të nderuar, nuk u mposhtëm, ngadhnjyem, e aq më tepër duke mbushur zemrat e fëmijëve me dashuri për atdheun për gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. Pra, ndërtuam dhe po vazhdojmë ta ndërtojmë ardhmërinë tonë shumë të lavdishme.

Djemtë dhe vajzat tona u vequan për aftësitë dhe talentet e tyre si, në sport, muzikë, politikë, mjeksi, ekonomi e fusha tjera, të cilët përvojat e tyre po i bartin edhe në Trojet shqiptare. Në atdheun e tyre dhe të parëve të tyre. Dhe, kjo është një prirje për së mbari dhe drejtë të madhërishmës së kombit tonë.

Çdo njëri prej nesh, në fushën e tij, duhet dhe e ka për obligim atdhetar të punojë ngusht me profesionist të fushave të tyre, me qellim që përvojat e fituara t’i sjellim në atdhe, në sherbim të popullit tonë të shumëvuajtur.

Edhe unë, si një politikan i ri, me gjithë përvojen e fituar në Gjermani, mundem dhe do të ofroj shumë në mënyrën e politikëbërjes në Kosovë, duke mbështetur shumë projekte të cilat do të kontribuojnë në avancimin dhe bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar, mes Gjermanisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Unë, do jem çdo herë i gatshëm për të ofruar mundësitë rreth bashkëpunimit dhe sjelljen e ideve të reja, të cilat do të avansonin pozitën e shqiptarëve në Gjermani. Ne, duhet të bashkohemi në ide dhe projekte. Një rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojmë arsimit dhe edukimit të gjeneratës së tretë mergimtare, të cilat janë baza kyqe për një shoqëri të shëndoshë.

Secili prej nesh e ka të qartë se ne nuk përfaqësojmë vetëm vetën tonë, por edhe vendin prej nga vimë. Pra, ne përfaqësojmë secilin shqiptarë, kudo që gjindet. Të bashkohemi dhe të punojmë shumë. T’i ruajmë miqësitë e krijuara dhe të krijojmë edhe të tjera të reja.

Të nderuar të pranishëm, më lejoni edhe një herë, të ju falinderoj për kohën e juaj të çmuar që na dhuruat. Njëherësh, me lejoni të shpreh mirënjohjen dhe falinderimin për familjën time, e cila ishte baza më e fortë dhe për asnjë çast nuk u luhat në përkrahje dhe mbështetje që të ngjitem sa më lartë. Por, pa lënë anash edhe kontributin e bashkatdhetarëve të mi, në Bayern dhe gjithandej në Gjermani. Dhe, për fund; Urime 11-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës! Ky shtet i juaj dhe imi pastë fatin e mirë e u lartësoftë, lartë e më lartë! Ju faleminderit!”

Mëpas, mysafirët shfrytëzuan rastin të bisedonin për tema të ndryshme me  Deputetin, Balidemaj, dhe me të pranishmit e tjerë në sallë. Në këtë “Tubim me komunitetin”, ishte organizuar edhe koktej dhe gjëra ushqimore.