.
×

Majlinda vishet me ar në Gjermani



Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Dusseldorfit. Xhudistja kosovare ka dominuar absolutisht ndaj kundërshtareve të saj.

Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin e Dusseldorfit në Gjermani, shkruan Gazeta Express. Në finale, kampionia olimpike e ka mposhtur xhudisten nga Mongolia, Sosorbaram Lkhagvasuren.

Me këtë rast, xhudistja pejane e fitoi medaljen e dytë të artë në vitin 2019 pas asaj të fituar në Grand Prix të Tel Avivit. Në gjysmëfinale, Kelmendi e kishte mposhtur xhudisten italiane Odette Giuffrida me ippon në kategorinë deri në 52 kilogramë. Majlinda e kishte mposhtur italianen edhe në finalen e madhe të Lojërave Olimpike “RIO 2016”.

Në çerekfinale, Majlinda e mposhti xhudisten koreane, Bokyeong Jeong, gjithashtu me Ippon. Fillimisht, kosovarja ishte duke humbur me rezultat teknik, mirëpo, afër fundit të meçit, ajo u tregua shumë e fortë për kundërshtaren e saj, e cila tentonte ta sigurojë një vend në gjysmëfinale duke humbur kohë.

Në rrethin e tretë, xhudistja pejane e mposhti xhudisten braziliane, Eleudis Valentim, ndërsa në rrethin e dytë, triumfoi kundër xhudistes gjermane, Verna Thumm.

Të dyja këto meçe, në rrethin e dytë dhe të tretë, Kelmendi i kaloi duke i mposhtur kundërshtaret me Ippon, ndërsa rrethin e parë e kaloi pa luftë. Në Grand Slamin e Gjermanisë po marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete. Grand Slami është i vlefshëm për pikë Olimpike Tokio 2020.