.
×

“LVV-ja digjet nëse e shkarkon Konjufcën”



Marrëveshja LVV – LDK do të dështojë nëse LDK-ja vazhdon të insistojë për kryeparlamentarin.Kështu ka thënë në një intervistë për gazetën “Zëri” njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri.Sipas tij, Albin Kurti s’mund ta shkarkojë Glauk Konjufcën, ngase një veprim i tillë do ta shkatërronte Vetëvendosjen.

Nëse LDK-ja vazhdon të insistojë për kryeparlamentarin marrëveshja mes saj dhe LVV-së do të dështojë. Kështu ka konsideruar njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri, pasi kreu i LVV-së Albin Kurti s’mund të pranojë ta shkarkojë Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit, ngase me një veprim të tillë do ta shkatërronte Vetëvendosjen.

LDK-ja, siç është shprehur Tahiri, gjatë një interviste të dhënë për “Zërin” mund të kërkojë edhe gjashtë ministri, por jo kryeparlamentarin. Partia, që drejton Isa Mustafa, po ashtu nuk mund të kërkojë as garanci për çështjen e presidentit, sepse s’mund të ketë garanci për një çështje të tillë.Rrjedhimisht Lëvizja Vetëvendosje do të duhej që sa më parë ta dërgonte emrin e mandatarit te presidenti, por ai ka vlerësuar se Kurti ka frikë se nuk do t’i mjaftojnë 15 ditë për bërjen e qeverisë, prandaj po e zvarrit këtë çështje.

Sidoqoftë, Tahiri ka thënë se presidenti Thaçi qysh sot mund ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër pasi Kurti në një videoincizim e ka nominuar veten dhe i ka shpallur emrat për ministra nga radhët e subjektit që drejton.