.
×

Lumezi konfirmon shtyrjen e afatit të aktakuzës së “veteranëve”



Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të ketë edhe 30 ditë kohë për të plotësuar aktakuzën në rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka konfirmuar për “Indeksonline” se sot është aprovuar kërkesa prej gjyqtarit të rastit lidhur me aktakuzën për veteranët.

“… Sot kemi marr konfirmimin se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale nga Gjykata gjë që thekson se është shtyrë afati sipas kërkesës së gjyqtarit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Brenda kësaj kohe Prokuroria do të bëj plotësim-ndryshimin e aktakuzës dhe më tutje do t’ia përcjellë Gjykatës”, ka deklaruar Lumezi. Rikujtojmë, se aktakuza për veteranët e rrejshëm ishte dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por, kjo gjykatë më 10 tetor, përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur, se kjo aktakuzë, i është kthyer Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë në plotësim dhe qartësim.

Kjo, pasi siç thuhej në njoftim, aktakuza në fjalë nuk është përpiluar konform nenit 241, paragrafi 1 pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale.

Ndryshe, në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Me rastin e veteranëve është vendosur se do të gjykojë gjyqtarja, Nushe Kukaj-Mekaj. Kjo e fundit e cila është gruaja e djalit të axhës së Sali Mekajt, ish kryetar i Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Qarkut në Pejë.