.
×

Luginën e zemëron koalicioni qeverisës me Listën “Srpska”



Marrëveshja e nënshkruar e koalicionit qeverisës me listën Serbe ka zemëruar qytetarët e Luginës së Preshevës.

Gani Krasniqi, i dëbuar nga Lugina e Preshevës, jeton në Kosovë që nga viti ‘85 dhe ende nuk gëzon të drejtat si qytetar i këtij vendi. Ai tregon se bashkëvendësit e tij gjenden në një pozitë shumë të vështirë tash e sa vjet, pasi këtu ku jetojnë nuk merren parasysh për lehtësim të kushteve të jetesës, derisa nuk kanë ku të kthehen nga atje ku kanë ikur.

Ndërsa plotësimi i kushteve të komunitetit serb në Kosovë brenda natës është absurditet për kryetarin e Lëvizjes “Vatra”, Sejdullah Kadriu, raporton KTV.

Më kritikët për këtë çështje janë analistët në vend. Madje, ata kanë pak shpresa se do të zbatohet rezoluta e miratuar që nga qershori i vitit të kaluar për qytetarët e luginës së Preshevës, transmeton koha.net.

Por, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se beson se qeveria e re do të fillojë së implementuari Rezolutën për Kosovën Lindore.

E megjithëse Haziri konsideron se në nivel lokal komuna po kujdeset për këta qytetarë, ende nuk është hapur zyra për qytetarët e Luginës, për të cilën kanë kaluar edhe afatet ligjore.