.
×

Lufta e re për Kosovën, ndarje apo…



botapress, 2 Shkurt – Operacioni për zgjidhjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur prej kohësh. Por tashmë duket se dikush ka marrë bisturinë në dorë. A do jetë një operacion i dhimbshëm dhe me pasoja? Cili është roli i Tiranës në këtë situatë? Flasin analistët e njohur Kim Mehmeti dhe Nexhmedin Spahiu – E marta thonë se është një ditë tersi.  Më 20 nëntor të vitit të shkuar në Dubai, shumëkush mund të ishte duke shijuar detin e diellin. Por shumë shqiptarë dhe serbë po bënin tifo për diçka të pazakontë. Ndeshja luhej në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit. Në fakt amerikanët dhe perëndimorët në përgjithësi ishin futur në fushë me një ‘ekip’ të kompletuar. Krejt papritur doli rezultati i votimit. Kosova nuk ia kishte dalë të bëhej anëtare e kësaj organizate. Duket diçka pa shumë rëndësi, por euforia pushtoi mediat dhe rrjetet sociale. Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e quajti një fitore për një vend të vogël dhe krenar. Por nuk harroi të shtonte se nuk duhej eufori, duke iu bërë thirrje shqiptarëve që të mos e shihnin si një humbje të madhe. Por pyetja që kishin ndërmend mediat e huaja ishte e tillë: Kur nuk qenka kaq e rëndësishme si fitore, përse u dashka serbët që të sponsorizohen shumë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, një hap normal që do i shërbente vetëm sigurisë dhe rendit në rajon? Pavarësisht thirrjeve të Vuçiç, ajo që pasoi do e risillte çështjen kosovare në qendër të medias ndërkombëtare. Kryeministri Ramush Haradinaj, që akoma vazhdon ta theksojë se nuk e kupton se përse duhet të përulen përpara një vendi që i ka vrarë shqiptarët, vendosi një tarifë 100 për qind mbi mallrat serbë. Lëvizja e tij entuziazmoi shqiptarët. Madje edhe kryeministri Edi Rama u shpreh në favor të vendosjes së kësaj tarife. Por ai duhet të ‘manovrojë’ me porta të ngushta në këto ditë të vështira. Fillimisht duhet ta tregojë veten të gatshëm për të hequr kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, të shfaqet nëpër mbledhje të përbashkëta të qeverive, të bëjë selfie me simbole shqiponjash e me flamurin shqiptar në sfond, si për t’i treguar faktorit ndërkombëtar se Shqipëria paternaliste mund të kërcënojë edhe BE-në me këto veprime. E nga ana tjetër, duhet të pranojë telefonata nga Uashingtoni, të cilat i thonë se zgjidhja mes Serbisë dhe Kosovës po afron dhe ajo do jetë me shumë gjasë e diktuar nga SHBA dhe ndoshta nuk do i kënaqë shumë shqiptarët. Një rishikim kufijsh mund të vendoset atje larg, por këtu në terren gjërat nuk janë kaq të lehta. Puna e tokave dhe e kufijve mund të prodhojë luftë e gjak, paralajmëron Haradinaj. Kurse Edi Rama e di shumë mirë se të dalë në favor të kësaj ideje, vetëm sa do marrë mbi shpinë shumë pakënaqësi që nuk i duhen. Por i duhet që të dalë në krah të Donald Trump, njeriut që dikur e pati sulmuar ashpër. Me këtë lëvizje vret dy ‘zogj’, duke iu treguar shqiptarëve të habitur pas investigimeve të Zërit të Amerikës, se i ka punët ‘grurë’ me Shtëpinë e Bardhë. Por me çfarë kostosh?  Europa, e cila i ka në derë këto halle, duket se mban një qëndrim më ndryshe. Asaj i intereson dëshpërimisht një zgjidhje e çështjes kosovare, por shpreson që joshja për anëtarësim në BE do të prodhojë një rezultat pozitiv. Por në kohën kur perspektiva e zgjerimit të BE duket e largët dhe kur askujt në ‘odën’ e 28 vendeve nuk i intereson të fusë në shtëpi dy fqinj me probleme, duhet ndërhyrja amerikane. Ashtu siç dinë ata, të prerë dhe direkt. Operacioni për të zgjidhur çështjen mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur. Nëse kjo punë do zgjidhet me bisturi, ende nuk mund të thuhet me saktësi. Nëse bisturia do hyjë thellë duke lënë pasoja, as kjo nuk dihet. Zaret janë hedhur… Enton Palushi –