[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Lllafe pleqsh: Nana:Çka po bohet n‘Kosovë? Baba: Hajt mos u merr ti me dertin e Kosovës, kqyre pleqninë tane



Teuta Haxhijaj:  T’i shohësh prindërit e tu kah plaken, kah i lëshon forca fizike, e besa edhe ajo psiqike, kah treten, qenka njëri ndër proceset më të vështira dhe të dhimbshme të jetës.
I sheh duke u largu çdo ditë e më shumë nga ti, duke të rrëshqitë nga duart (po jo nga zemra e shpirti) edhe pse mundohesh me çdo forcë t’i mbashë e të mos i lëshosh. N’anën tjetër, ti nuk mund të bësh asgjë kundër kësaj rrjedhe 😔
I sheh ato duar që kanë filluar të dridhen ngapak dhe më nuk e mbajnë mirë filxhanin e kafesë pa u derdhë paksa.
E sheh atë shikim, në cilin ti e lexon krejt dhimbjen, vuajtjen e peshën e një shekulli gati, e që vazhdimisht ta bën me dije që tani më ka nevojë për ndihmë, dhe jo vetëm per atë fizike. Ka nevojë për nje fjalë t’ëmbël, t’butë e sjellje të ngrohtë. Ai shikim i dhimbshëm që ty ta zbehë disi buzeqëshjen në mes, gëzimin, lumturinë…

 
E sheh luftën e tyre mëngjes për mëngjes për të filluar e mbarur edhe një ditë, ndonëse me dhimbje e me ankesa. E, fillimi i ditës zgjatë përherë e më shumë. Duhet më shumë kohë e më shumë mund.
– A ke mujtë me fjetë hiç, nanë?
– Po, po mirë prej Zotit. A ke mujtë me pushu ti?- ma kthen ajo duke u bërë gati për “rregullat” e zakonshme të mengjesit: matjen e sheqerit, të tensionit…
– Mirë e paske sheqerin sot. Qysh pe ninë veten?- e pyes duke dashtë me marre vesh gjendjen e saj më shumë nga shprehja e fytyrës, se sa edhe nga ajo që ajo thotë.
– Paj vallahin nuk ka vend n‘trup që nuk po m‘dhem, si me m‘pas rreh dikush. Menxi jam dalë n‘sabah. Nashta e kam edhe prej moti se sot paska ndryshu po m‘doket.
– Po, sot edhe po bika shi e edhe po fryka era. Ta jepi gjysë “ibuprufeni” masi t‘hajsh diçka e me siguri t‘kalon pak.
– Hajde Zojë ungju – i thot baba, – me çka po ki qef me ta ly bukën sot? A po don këso sene t‘omla a po don këso djathna e keso tjerash? – e pyet ai duke e pritë me plot durim deri sa nana më në fund te vendosë se çka po don me hangër…
Në televizor degjohen lajmet dhe e tëra sillet rreth zgjedhjeve atje.
– Çka po bohet n‘Kosovë, a po din kush gja? – pyet ajo e brengosur që “n’atë ven nuk asht puna mirë“
– Hajt mos u merr ti me dertin e Kosovës, ti kqyre veç pleqninë tane, – ia kthen baba tuj e pi kafen.
E vërej që tashmë janë merzitë këtu.
– Veni i huj, oj bijë – thot ajo – nryshe ashte me dalë n‘oborr tanin, n‘ven tanin.
– E di bre nanë, po si t‘i merrni vaksinat kunder virusit e t‘del syni i pranverës, iu çojmë edhe n‘Kosovë.
I degjoj bisedat e tyre të përditshme qe m‘bajnë edhe me qeshë e edhe m‘i mbushin sytë me lotë.
Është mbrëmja e jetës së tyre që me shpejtësi levizë në drejtim të natës. Dhe, ti nuk do me ditë, as nuk do e as nuk mund ta paramendosh ditën pas asaj nate.
E, të jesh aty për ta, qenka një ndër veprat më njerëzore e më fisnike që mund të bësh në jetë.
Po. Kjo është jeta, ky është rrethi i saj.
Secili në kohën e vet!

Menu Title