.
×

Ligji kundër pjesëmarrjes në luftërat e huaja të premten në Kuvend, anashkalohet Trepça



Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta shqyrtojnë të premten projektligjin që i parandalon kosovarët të marrin pjesë në luftërat e huaja. Kjo është vendosur sot në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare. Gjithashtu në këtë seancë do të debatohet edhe për trendin e ikjes ilegale të kosovarëve në vendet perëndimore, për të cilën shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi, tha do të propozohet miratimi i një strategjie për parandalimin e migrimit. Kadaj- Bujupi u shpreh se është e domosdoshme që të ketë seancë këtë javë, ndërsa shtoi se çështja e Trepçës nuk ishte pikë e rendit të ditës në mbledhjen e sotme. Edhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, konfirmoi se do të ketë debat për migrimin. “E drejta e qytetarëve për të kërkuar punë duhet të jetë e të gjithëve, por duhet shikuar se me këtë a po i bëjmë dëm Kosovës”, u shpreh Haliti. Duke folur për çështjen e Trepçës dhe minatorët që janë futur në grevë në horizontet e minierës, Haliti u shpreh se “politika nuk bëhet me ultimatume”. “Trepça nuk mund të jepet me 5 grosh. Nuk ka kush që mund të luajë me interesat e Kosovës”, u shpreh Haliti.