.
×

Lexim letrar në shënim të 28 Nëntori -Dita e Flamurit



Hazir MEHMETI, Vjenë  – Shënohet 28 Nëntori-Dita e Flamurit në Vjenë – Edhe një shënim festiv në Vjenë në Vitin Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit- Skënderbeu. Roland Bimo: “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” po bënë një paraqitje me dinjitet të artit e letërsisë këtu në Austri”.

24 nëntor, Vjenë: Në një ambient të bukur ku flet arti, në “Der Kunstraum”, në qendër të Vjenës u mbajte orë festive letrare e organizuar në shënimin e Ditës së Pavarësisë – 28 Nëntorin, në Vitin Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit- Skënderbeu dhe brenda Javës së Kulturës Shqiptare në Austri. Organizuar nga Lidhja e Shkrimtarë dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” dhe Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri. Programi u prezantua me shije nga moderatoria, Kaltërina Durmishi. Në emër të organizatorit përshëndeti Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, i falënderoi të pranishmit dhe ua uroi 28 Nëntorin –Ditën e Pavarësisë. Hubert Thurnhoffer, pronari i ,,Der Kunstraum’’ Galeri duke falënderuar për bashkëpunimin mes tjerash shtoi: “Ju falënderoj për prezencën tuaj në hapësirat e sallës sonë ku ofrohet ambient i mrekullueshëm për ata që adhurojnë artin. Ne do jemi të gatshëm për bashkëpunim në vazhdimësi”
Ndërsa Ambasador i Shqipërisë në Austri z. Roland Bimo, , në fjalën e tij uroi mërgimtarët. “Gjithë mërgimtarëve gëzuar Festën Gjithëkombëtare 28 Nëntorin-Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri po bënë një paraqitje me dinjitet të artit letrar këtu në Austri. Kështu ishte edhe me rastin e Vitit Shqiptaro-Austriak, si një nga pikat më të rëndësishme në përgjithësi e programit para komunitetit tonë dhe miqve austriak që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Tematikën e veçantë të zgjedhur nga arti letrar e cila është pak më specifike dhe ndoshta më e vështirë në qasje ndaj publikut, e cila kërkon teknika më të rafinuara, krahasuar me artin pamor. Në këto aktivitete ambasada jonë ka pas fatin dhe kënaqësinë të bashkëpunon, për çka falënderoj gjithë krijuesit”.
Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, në vazhdim paraqiti historikun e shkurtër të veprimtarisë disa vjeçare. “Brenda kësaj kohe kemi botuar dy antologji në gjermanisht dhe shqip si dhe kemi mbajtur 57 orë letrare në gjithë Austrinë. Kemi promovuar dhjetëra vepra nga krijuesit tanë këtu në Austri dhe nga vende tjera, Lidhja jonë ka bashkëpunim me krijues dhe shoqata të komuniteteve tjera këtu, veçanërisht me P.E.N –Klubin në Austri, njëra nga shoqatat më të fuqishme e shkrimtarëve në Austri, i cili ka botuar krijime nga autor shqiptarë në Austri, tre prej tyre tani anëtar të rregullt, Anton Marku, Besim Xhelili dhe Mërgim Osmani. Kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, Ermal Vejsa uroi të pranishmit duke falënderuar shoqatat shqiptare për bashkëpunim për organizim të programeve shënjuese të datave historike kombëtare. Ai ftoi për aktivizim të të gjithëve në aktivitete kulturore, sportive, artistike këtu në Austri.
Grupi i korit të grave “Lyra” nën drejtimin e Vlora Jonuzaj ishte pjesë e bukur artistike me disa këngë korale, disa me motive arbëreshe të cilat u pritën mirë nga publiku. Pikë e parë nga pjesa letrare ishte promovimi i romanit “Dimri i Shekullit” nga Angjelina Marku. Një vështrim prezantues rreth vepre e mbajti publicisti Hazir Mehmeti. Ai mes tjerash tha: “Romani “Dimri i Shekullit” nga Angjelina Marku është një sihariq i radhës në 550 vjetorin e Krye heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një plotësim në prezantimin e krijuesve/e shqiptare krahas kombeve tjera në Austri. Është një pasurimi dhe vlerë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri”. Autorja e romanit “Dimri i Shekullit”, Angjelina Marku lindi në Gjakovë në vitin 1968, shkollimin e mbari në vendlindje. Tani e disa vite jeton e vepron në Vjenë. Shkruan prozë dhe poezi, “Dimri i Shekullit” është romani i saj i parë. Në fjalën e saj autorja, Angjelina Marku, falënderoj organizuesit e mbrëmjes dhe lexoi pjesë nga romani i saj. Me lexime letrare u paraqiten disa autorë, mes tyre  : Violeta Allmuça, lexoi poezitë: ‘‘Rima e tokës’’ dhe ‘‘Mos më kërko’’. Ervina Toptani, poezi, ‘‘Amshimi i një poeti’’ dhe ‘‘Më mbaj për dore shpirti im”. Mërgim Osmani, poezi, ‘‘Poetët’’, ‘‘Dardani, pse hesht ti sot?’’ dhe ‘‘Po festojmë’. Besim Xhelili lexoi poezitë ‘‘Ringjallje’’, ‘‘Mik me lodhjen’’, ‘‘Lamtumirë ti varg i pasosur’’, dhe ‘‘Disa njerëz kur ikin”. Anton Marku lexoi: “Vitet e dritës’’, ‘‘Kronisti’’ ‘‘Fjalëgur’’ dhe ‘‘Udhëve të botës”. Në fund organizatori dha një koktej rasti shoqëruar me disa këngë argëtuese nga këngëtari Mark Marku, përcjell me piano nga Vlora Jonuzaj. I pasur ishte dhe këndi i librave në dy gjuhë nga autorë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Austri.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” është një shembull i mirë për gjithë diasporën në rrugën e saj në afirmimin e krijimeve letrare nga kombi ynë në ambientet shumë kulturore në Austri. Disa nga autorët shqiptarë janë tani më anëtarë të asociacioneve letrare më të njohura në Austri.