.
×

Letër e hapur për presidentin Ilir Meta: Mos e dekoroni Sulejman Rexhepin, El-Bagdadin e ISIS-it në Maqedoni



 

President, ndjesë për kohën e çmuar që po ua marr me këtë letër! Megjithatë, ndjej obligim njerëzor, fetar e kombëtar që t’Ju shkruaj.

Jam Afrim Tahiri, ish-sekretar gjeneral i Bashkësisë Fetare Islame në RM. Këto ditë, në stafin e gazetarëve të Radio Shkupit, programi në gjuhën shqipe, ka qarkulluar një informacion që flet se Ju, nga fundi i këtij muaji keni vendosur ta vizitoni Maqedoninë dhe, me këtë rast, ta dekoroni Sulejman Rexhepin! Sido qoftë, shtrohet pyetja se pse me kaq “sakrificë” i duhet një dekoratë presidenciale Sulejman Rexhepit! Unë, personalisht, kam qenë bashkëpunëtori më i ngusht i tij dhe e njoh fort mirë! Tash, jam jasht stafit të tij, me dorëheqjen time, që nga momenti kur kuptova shumë gjëra rreth tij!

Ju e dini që në Maqedoni ka funksionuar Komisioni për lustrim dhe, gjatë kësaj kohe, kanë dalur në opinion shumë dosje si dhe nofka policore të kohës së UDB-së. Pa dyshim se ndër më të përfolurat është ajo e Sulejman Rexhepit, nofka “Zharko”!

CNN-i amerikan Sulejman Rexhepin e krahason me El-Bagdadin e ISIS-it, kurse Arabia Saudite, u tha se e ka vënë në “listën e zezë”, pikërisht për ofendimet që ia bën kulturës, civilizimit si dhe sistemit arsimor të Arabisë Saudite.

Nuk dua t’ju lodhë por, shkurt më lejoni që t’ju infomoj se, tashmë unë, gjegjësisht, Lëvizja për Reforma në BFI, kemi deponuar në Prokurorinë e shtetit dy padi me nga disa lëndë për vjedhje, zhvatje, banditizëm, për kriminalizimin e BFI-së, për korrupsion, për shpifje, të gjitha të mbështetura me argumenta e me dokumenta!

Ndjesë Ju lutem, në asnjë mënyrë nuk po marr mundin që t’ua imponoj miqësinë! Ju mund ta keni mik Sulejman Rexhepin dhe, në cilësi të mikut edhe mund të shfrytëzoni rastin dhe t’i jepni ndonjë dhuratë! Dhe, nëse do të ndodhë që t’i jepni dhuratë, thuajeni që mos të manipulojë por ta pranojë si dhuratë. Sepse, jo fort larg, ai pranoi një “dekoratë” në objektin e Akademisë Shqiptare, për të cilën madje informoi se e dekoroi Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, gjë që e demantoi menjëherë kjo Akademi!

Sot, në mesin e myslimanëve të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi është sinonim i përçarjes, i vjedhjes, i hajnisë, i korrupsionit, i banditizmit, i degjenerimit, i shkatërruesit të vakëfit, ndaj dhe, nuk kalon ditë pa e vënë në tapet me lloj-lloj shkrimesh e kritikash.

Dekorimi eventual i Sulejman Rexhepit do të ishte fyerje publike shtetërore që i bëhet myslimanëve të Maqedonisë.

Kristal e kam të pastër se Ju, nuk do ta bëni një gabim kaq katastrofal sikur të mos ju keqinformojnë sekserët që e keqpërdorin afërsinë me Ju.

Unë assesi nuk do të pajtohesha që Presidenti im të dekoronte personin më kontravers dhe më të përfolur në Maqedoni! Vetëm edhe një gjë: ai është në gjendje që të paguajë shumë vetëm të vie deri te një dekoratë e tillë nga Shteti Shqiptar, sepse, përmes kësaj dekorate ai synon që ta kamuflojë aktivitetin e tij antishqiptar tash e më shumë se dyzet vjet rresht.

Zoti President, ju uroj shëndet dhe shumë suksese!

 

Me shumë respekt –

 

Afrim Tahiri, ish-sekretar gjeneral i BFI në RM