.
×

Lekaj: PAN-i nuk merr pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit



Të hënën, për të katërtën herë radhazi pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit, nga kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci.

Seancat e kaluara dështuan pasi që deputetët e koalicionit fitues të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që njihet me shkurtesën PAN, nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit për të propozuar kandidatin për kreun e Kuvendit.

 

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë as në seancën e radhës, pasi kanë kërkuar konsultime shtesë.

 

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për “Radion Evropa e Lirë”, se kryesuesi i seancës konstituive deputeti Adem Mikullovci është duke bërë gabime, pasi që, siç shprehet ai, më shumë është duke e ndjekur politikën e Vetëvendosje!-s, sesa të unifikimit të spektrit politik. “Ne e kemi bërë të qartë se pa takime konsultative, pa takime të gjithë spektrit politik dhe grupeve parlamentare, nuk do të marrim pjesë në seancë”, ka thënë Lekaj.