.
×

LDK: Kasta aktuale udhëheqëse është vrastare e perspektivës sonë



13:15 – Seanca e thirrur nga Qeveria është dorëzim i AAK-së dhe Nismës përballë presionit të PDK-së dhe Thaçit për prishje të koalicionit dhe shantazheve të ditëve të fundit.

Kështu thuhet në një reagim të LDK-së, ku theksohet se AAK dhe Nisma “tash do të luajnë lojën e z. Thaçi duke nëpërkëmbur shtetin e Kosovës”.

Ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve shumicë të Kosovës, sipas LDK-së, do të përligj në emër të Qeverisë marrëveshjet e fshehta të Thaçit me Serbinë.

“Shteti i Kosovës po hynë në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e shtetit të Kosovës. Për LDK-në, sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është pa negociueshëm. LDK-ja nuk do të lejojë përdhosje të shtetit të Kosovës. LDK-ja do t’ju prijë ndryshimeve që duhet të ndodhin së shpejti në Kosovë. LDK-ja nuk do të dorëzohet ndaj dhunës që po i bëhet shtetësisë së Kosovës”, ka theksuar LDK-ja në reagimin e saj.

Konjufca: AAK dhe Nisma janë bërë bisht i Hashim Thaçit

11:32 – Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se seanca e thirrur nga opozita do të mbahet dhe se do të dëgjohen diskutimet e tyre. Konjufca e quan dorëzim të AAK-së dhe Nismës karshi PDK-së.

Sipas tij, lakmia e madhe për pushtet dhe kërcënimi i PDK-së se mund ta rrëzojnë kur të duan, e kanë sjellë në këtë gjendje kryeministrin Ramush Haradinaj, shkruan KsP.

Konjufca tha se të gjithë janë dëshmitarë që në Kuvend ndodhi shfaqje e turpshme “përpjekja e presidentit për t’ia bashkëngjit vetes një ekip negociator”.

“Sot çka kemi parë është vagonët që do t’i shtohen Hashim Thaçit në negociatat me Serbinë. Duke u bërë bisht i Hashim Thaçit duke shkuar në Bruksel me gjysmën e spektrit politik, përkundër që ne i refuzojmë vendet e rezervuara, këtu nuk po ndryshon kurrgjë. Nuk kam dyshim që kufijtë e Kosovës nuk do të hapen. Do të shkojë t’i hap kufijtë me Serbinë. Kjo është ditë e pikëllueshme për Kosovën, këta do të shkojnë vetëm për t’ia bërë agjendën Thaçit, jo me mbrojt Kosovën”, tha Konjufca.

As VV nuk merr pjesë në seancën e Qeverisë

9:24 – Shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se as Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 9 të thirrur nga Qeveria. Ndërsa, pritet që edhe Qeveria ta bëjë të njëjtën gjë për seancën e thirrur nga opozita për në orën 10.

LDK-ja nuk merr pjesë në seancën e orës 9 9:11 – Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë në seancën e parë të orës 9 të thirrur nga qeveria.

KTV-ja ka marrë vesh se ky është vendimi që GP i LDK-së ka marrë në mbledhjen e sotme të orës 8, duke iu bashkuar PSD-së. LDK pas pak tregon nëse do të marrë pjesë në seancën e orës 9, PSD-ja refuzon pjesëmarrjen

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur mbledhjen, ku pritet të merret vendimi nëse do të marrin pjesë apo jo në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mbledhja e GP të LDK-së po mbahet në zyrat e këtij grupi në Kuvendin e Kosovës, shkruan ksp. Seanca e thirrur nga kryeministri do të fillojë në ora 09:00, ku pikë e vetme e rendit të ditës është shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e ekipit negociator për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

PSD ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancë, pasi vlerësojnë se çdo diskutim duhet të bëhet në seancën e paraparë të mbahej në ora 10:00, që ishte thirrur me kërkesë të opozitës./BP/