.
×

LDK i kërkon Shpend Ahmetit: Nesër e ke vendin në komunë, jo në protesta



Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se përpjekja nga kryetari i komunës Shpend Ahmeti për t’i nxjerrë në protestat e nesërme, të 4 shkurtit 2015, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të kryeqytetit, përveçse është shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve, është politizim i hapur i arsimit dhe shkëputje nga procesi mësimor-edukativ, përveçse është e palejueshme që fëmijët nën moshën 18 vjeçare t’u nënshtrohen eksponentëve politikë për pjesëmarrje në protesta, po ashtu është e palejueshme dalja e tyre edhe për shkak të sigurisë që po i kanoset kryeqytetit dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, siç ndodhi në protestën e dhunshme të 27 janarit 2015.

“Kërkojmë me ngulm nga kryetari i Prishtinës që të japë shembullin e të parit të kryeqytetit dhe së pari, ai vetë të mos jetë pjesë e protestave të dhunshme dhe t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim që edhe ata të mos jenë pjesë e dhunës dhe anarkisë së mundshme në kryeqytet. Ndryshe, manipulimi me nxënës do të shënonte sjelljen e politizimit të skajshëm të arsimit nga kryetari i kryeqytetit, i cili lejoi, bashkëorganizoi dhe u gjet në protestat e 27 janarit 2015.

Kërkojmë me ngulm nga kryetari i Prishtinës që nesër, më 4 shkurt 2015, në kohën e protestave, të jetë në kryerjen e detyrave të tij të punës e të mos bëhet pjesë e një proteste të paparalajmëruar te organet e rendit të Republikës së Kosovës, të mos jetë pjesë e një proteste me qëllime politike dhe rrënuese të shtetit. Ndryshe, do të mbajë ai vetë përgjegjësi për sjelljet e tij nxitëse të dhunës dhe anarkisë. Kryeqytetin e ka detyrë për ta ndërtuar e jo për ta  rrënuar!     Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Prishtinë kërkon nga Drejtoria e Arsimit, nga të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, këshillat e shkollave, kujdestarët e klasëve, këshillat e prindërve, këshillat e nxënësve dhe i gjithë personeli arsimor të shkollave të kryeqytetit, që të ushtrojnë autoritetin e tyre e t’i bindin nxënësit që të mos bien pre e manipulimit ekstrem politik të VV, t’i bindin për rrezikshmërinë e protestave të mundshme të eskaluara si ato të 27 janarit 2015.  Ndryshe, përgjegjësinë do ta marrin të gjithë ata që, duke i manipuluar edhe nxënësit, pa dallim moshash, po nxisin protesta të skajshme politike për rrënimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.  Shtetin e Kosovës dhe kryeqytetin nuk i kemi për t’i rrënuar, por për t’i ndërtuar së bashku”, thuhet në komunikatën për medie të grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës.

.