.
×

LDK dhe LVV demantojnë Kadri Veselin për kthimin e opozitës në Kuvend



Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë të mbajtur me 7 nëntor, tha se Kuvendi po i kthehet normalitetit dhe se ka një komunikim shumë pozitiv pozitë dhe opozitë për të marr obligimet për qytetarët dhe për të marr obligimet për proceset integruese-euroatlantike.Veseli tha se ka shenja të mira se opozita do të kthehet në Kuvend.

“Presim reflektimin e opozitës, ka shenja të mira se ata do të kthehen në Kuvendin e Republikës së Kosovës në seancat parlamentare për arsye se bojkoti nuk është traditë fare e jetës politke në obligimet të cilat janë në procesin integrues”, tha Veseli.

Menjëherë pas kësaj deklarate, Kuvendi i Kosovës i kishte vazhduar punimet në seancë, ku prezent nuk ishin as Lidhja Demokratike e Kosovës e as Lëvizja Vetëvendosje, të cilët vazhdimisht po i bojkotojnë seancat.LDK dhe LVV deklaratën e Veselit e kanë demantuar, pasi këto dy subjekte e kanë konfirmuar se do ta vazhdojnë bojkotin e seancave plenare.Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha për KALLXO.com se në krye me Veselin, ka degraduar komunikimi mes pozitës e opozitës në Kuvendin e Kosovës.

“Prej se Veseli ka ardhur në krye të Kuvendit ka degraduar komunikimi në mes të pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës. Modeli i udhëheqjes së tij është përçarës dhe shkatërrues i çfarëdo komunikimi normal në Kuvend. Ai një seancë e fillon me fyerje të opozitës, tjetrën me lutje ndaj opozitës për unitet, e një tjetër e fillon me kacafytje me ndonjë deputet që nuk pajtohet me të”, tha Hoti.

Hoti ka përmendur Rambujenë, formimin e Qeverisë së Kosovës me kryeministër Bajram Rexhepin, bisedimet e Vjenës, Planin e Ahtisarit dhe shpalljen e pavarësisë, ku e bënë faktor kryesor të arritjes së unitetit LDK-në.

“Në të gjitha këto raste, LDK-ja ka qenë faktori kryesor i arritjes së pajtimit dhe unitetit, sepse ka qenë shumicë dhe në qeveri dhe i ka takuar të marrë përgjegjësinë për të arritur unitetin. Ne jemi ende e njëjta parti dhe ne do ju prijmë proceseve të pajtimit për t`u përgatitur për sfidat që na presin”, theksoi Hoti.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha për KALLXO. com se nuk është në dijeni se cilave sinjale po ju referohet Veseli. Por, sipas saj këto deklarata janë të pa bazuara.Haxhiu shtoi se situata në Kuvendin e Kosovës është jofunksionale që nga tentimi për ta bllokuar kërkesën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme e cila e kishte për qëllim ndaljen e presidentit Hashim Thaçit, drejt pazareve për shkëmbim territorial.

“Nuk e di se çfarë sinjaleve ju referohet Kadri Veseli kur flet kësisoj. Por që nuk është hera e parë kur ai jep deklarata të tilla që janë krejtësisht të pa bazuara dhe komplet janë hamendësime të tij që i bën për interesa të caktuara”, tha Haxhiu.Sipas Haxhiut mazhoranca ose koalicioni aktual shumë më shumë janë të gatshëm ta mbrojnë Hashim Thaçin si individ sesa ta mbrojnë sovranitetin e vendit nga rreziku që po ia bën Hashim Thaçi.

“Bojkoti jon aktiv si opozitë duhet pranuar se nuk ka pas efekt për shkakun se aty për ta mundësuar kuorumin ka qëndruar një subjekt opozitar dhe u ka mundësuar votat për të kaluar projektligje të tjera në Kuvend”, tha Haxhiu.Haxhiu tha se do të shikojnë se cilat do të jenë veprimet e tjera të LVV se a do të rikthehen apo jo për këtë vendos kryesia dhe grupi parlamentar i LVV.