.
×

Lajm i ri për rastin e Azem Sylës



 

Botapress, 19 shkurt- Pas disa shtyrjeve të njëpasnjëshme, kjo javë përfundimisht pritet të shënojë dhënien e fjalëve hyrëse në gjykimin ku Azem Syla dhe 21 persona të tjerë po akuzohen për vepra që lidhen me tjetërsimin e pronave shoqërore.

Konfirmimi për mbajtjen e seancave shihet nga faqja e EULEX-it në Kosovë, ku shihet se gjatë kësaj janë caktuar të mbahen tre seanca gjyqësore lidhur me këtë rast dhe atë më 20, 21 dhe 22 shkurt duke filluar nga ora 10:00.

Seanca e fundit e paraparë të mbahej lidhur me këtë rast më datë 13 shkurt ishte shtyrë për arsye shëndetësore të akuzuarit Azem Syla.

Në këtë rast Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve ndërsa të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.

Po ashtu, KALLXO.com ka sjellë pamje ekskluzive nga operacioni për arrestimin e të dyshuarve për rastin e njohur si pronat.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm. Që nga ajo kohë gjykimi nuk ka arritur të kaloj ende fjalën hyrëse të shqyrtimit kryesor.

Ky gjykim deri më tani disa herë është shtyrë për arsye të ndryshme, duke filluar nga problemet me trupin gjykues, probleme me prezencën e të akuzuarve dhe arsye të ndryshme.