.
×

Ky është zyrtari i Ministrisë së Diasporës që u kap duke u marrë me ryshfet!



Petrit Mustafa, zyrtar në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike është njëri nga dy të arrestuarit nga Policia e Kosovës nën dyshimin për kryerjen e veprave penale marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti dhe përvetësim në detyrë.

Lajmin e kanë konfirmuar për “Gazeta Blic” burime brenda këtij dikasteri, derisa në një komunikatë për media kanë treguar vetëm inicialet e tij.Ministria e Diasporës ka njoftuar se është bërë pezullimi i tij nga puna deri në vendimin përfundimtar të organeve kompetente.

“Si rezultat i informatës së dërguar nga policia e Kosovës ku thuhet se bëhet fjalë pikërisht për të dyshuarin P.M., zyrtar në Ministrinë e Diasporës, është informuar Ministri i Diasporës dhe investimeve Strategjike, dhe ka kërkuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë që të marrë masat e nevojshme konform legjislacionit në fuqi.Sekretarja e Përgjithshme e MDIS, bazuar në ligjet e aplkueshme ka marrë vendimin e menjëhershëm për pezullimin parandalues të zyrtarit P.M. nga detyrat si zyrtar në MDIS deri në vendimin përfundimtar të organeve kompetente”, thuhet në njoftimin e MIDS-së.Mustafa, është arrestuar dje së bashku me S. V. serb – gardian i Shërbimit Korrektues të Kosovës, pasi që ata dyshohen se kanë shkëmbyer dhënien e parave në shumë prej 3 mijë euro para të gatshme me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit një të paraburgosuri të nacionalitetit serb në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Ndaj të dyshuarve pas intervistimit dhe kompletimit të procedurave policore, me aktvendim të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, njofton sot Policia e Kosovës./GB/