.
×

Ky është raporti që iu dorëzua Haradinajt për avionin turk, i cili mori gylenistët e arrestuar (Foto dokument)



Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Pal Lekaj, i ka dërguar një raport shefit të tij, kryeministrit Ramush Haradinaj, për lejen që i është dhënë një avioni privat turk, për të zbritur në Kosovë, të enjten e kaluar.

Ky avion ishte dërguar nga autoritetet turke për të marrë gjashtë shtetas turq, të arrestuar atë ditë në Kosovë, të cilët në Turqi akuzohen për gjoja terrorizëm, si pjesëtarë të lëvizjes së klerikut Fethullah Gylen.

 

Avioni kishte ardhur nga Ankaraja, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

 

Fillimisht turqit kishin kërkuar leje për të zbritur në Prishtinë të premten, por më pas kanë ndryshuar kërkesën, për të marrë leje për të zbritur një ditë më herët.

 

Lekaj, gjatë një paraqitjeje të drejtpërdrejt në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, ka prezantuar raportin që i ka dërguar Haradinajt për avionin që mori gylenistët e arrestuar.

 

“Kompania ka kërkuar leje për aterrimin. Kjo kompani ka pasur një itinerar të fluturimit nga Ankarja  në Prishtinë dhe nga Prishtina në Ankara. Ky aeroplan ka arritur në Kosovë pas orës 9 dhe është larguar nga Kosova nga 10:55”, ka treguar Lekaj.

 

Ai ka bërë me dije se lejet për aterrime të këtyre kompanive lëshohet shumë shpesh dhe të gjitha janë të ligjshme.