.
×

Kush duhet t’ju hyjë në shtëpi në ditën e parë të vitit që gjithçka të shkojë mbarë



 

Nata e Vitit të Ri është kulmi i ditëve festive për shqiptarët, që i impenjon në çdo gjë, duke filluar që nga punët e shtëpisë deri në gatime të shumta dhe fishekzjarrët.

Ndryshe nga fqinjët e tjerë rreth Shqipërisë, ka disa tradita që na dallojnë nga të tjerët dhe që na cilësojnë shqiptarë në të gjitha kuptimet, shkruan Icon Style.

Tryeza plot me ushqime, veçanërisht mish

Edhe pse çdo ditë nuk konsumojmë shumë ushqime, natën e vitit të ri tryeza duhet të jetë e mbushur plot e përplot. Nuk mjafton nëse gjeli i detit ndodhet mbi tryezë, pasi kryefamiljari ka blerë edhe dy-tri lloje të tjera mishi që në fund të fundit, askush nuk i prek.

Kush do të hyjë i pari në shtëpi?

Thonë që kur të hyn një djalë i vogël në shtëpi, viti do të shkojë mbarë. Akoma më shumë, shqetësimi më i rëndësishëm; të hyjë me këmbën e djathtë. Një traditë që vështirë të zbehet.

Bakllava

Ëmbëlsira më e preferuar e tryezës përgatitet shumë ditë para festës. Disa zonja ende preferojnë ta gatuajnë vetë, disa të tjera ua besojnë furrave.

Pijet

Në tryezë nuk mungon asnjë markë alkooli, pije me gaz, pa gaz apo energjike. Nuk ka rëndësi nëse do të pihen apo jo, e rëndësishme të jenë aty.

Superpastrimi i shtëpisë

Çdo cep shtëpie, dhomat, çdo orendi duhet pastruar. Viti i ri duhet të gjejë çdo shtëpi të pastër. Është e pastër dhe s’ka nevojë? Do të ripastrohet sërish. Nuk ka dyshime për këtë

Luftë fishekzjarresh

Nga dritaret, ballkonet e kudo të munden, shqiptarët do tregojnë me padurim arsenalin e pafundmë të fishekzjarreve në shtëpi. Ishin më të bukura ato të fqinjëve? S’ka problem, në 1 janar rihedhim sërish.

Leku në byrek

Një tjetër traditë, byreku me lekun e fshehur. Kureshtja vijon. Kujt do t’i bjerë këtë vit? Me shtrenjtësimin e jetesës dilema bëhet me e madhe. Çfarë shume do të marrim në këmbim të lekut? Momente sa argëtuese e qesharake që i shtojnë gëzim tryezës familjare.

Festa

Tanimë dihet nga të gjithë. Deri para mesnate me familjen, pas mesnate me shoqërinë. Mëngjesi? Nuk dihet ku na gjen.