.
×

Kusari-Lila për qeverinë: Si me i dërgu hajnat me e rujt bankën



Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, e ftuar në emisionin DPT te Fidani, ka akuzuar qeverinë, duke thënë se situata ka devijuar dhe është e turpshme për mënyrën se si po qeverisë.

“Sa ka devijuar situata është vërtetë e turpshme. Veseli filloi me shkarkimin e ministrave, por problem është që ai (Veseli) të shndërrohet në njeri parimorë për një ditë” tha Kusari-Lila.

Ajo tha se nëse Veseli ka marrë vendim për shkarkimin e personave nën aktakuzë, atëherë këtë gjë duhet ta bëjë e gjithë qeveria, duke përfshirë këtu edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Nëse qeveria është organ ekzekutiv, parimi duhet të vlejë për të gjithë, Nëse kriter kryesor është luftimi i krimit dhe korrupsionit, nuk mundesh të mbash në pushtet persona me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare” tha ajo.

Ish-kryetarja e komunës së Gjakovës tha se qeverisë “ngadalë ngadalë, nga një tullë e nga një tullë, po i rrëzohet muri i koalicionit”, duke shtuar se “Haradinaj po qeverisë çdo ditë si të ishte dita e tij e fundit”.

Kusari-Lila shtoi se Kosova “nuk mund të ketë paqe me Serbinë, nëse ne nuk kemi paqe me veten”.