[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kurti tregon kush sjell fundin e “PANhajnisë”



Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një tubimi me qytetarë mbrëmë në Gjakovë, ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të reja, pasi sipas tij vetëm një qeveri të re që do të dalë nga këto zgjedhje “do t’i jepte fund regjimit të PANhajnisë”.

“Në shkurt 2018, qeveria deklaroi se deri në fundit të vitit 2018 Kosova do të fitojë statusin për kandidat në BE dhe kjo sot as që është në çështje të diskutimit. PAN gjatë vitit 2018 ka dështuar të zbatojë një të tretën e programit për MSA dhe i kanë humbur mbi 43 milionë nga fondi i BE-së”, tha Kurti.

Ai ka përmendur edhe dështimet tjera të qeverisë aktuale, duke përmendur mosluftimin e korrupsionit në nivele të larta.

“Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të përfundojnë asnjë rast të vetëm të profilit të lartë të korrupsionit, në vend se prokurorët t’i ndjekin ministrat, kryeministri e përndoqi prokurorin Elez Blakaj. Partisë së kryeministrit, e cila iu bashkua PDK-së në kapjen e shtetit, nuk po i mungon korrupsioni, por as transparenca në korrupsion. Kemi kaluar në korrupsion transparent dhe vetëm prokuroria s’po sheh asgjë”, u shpreh kreu i Vetëvendosjes, duke shtuar se, “kjo qeveri do ta bankrotonte edhe vendet e BE-së e lëre më Kosovën”.

Sipas tij, Thaçi e Haradinaj e kanë bërë pazarin e përbashkët të ‘gërryerjes’ së Kosovës, pasi kanë interesa të përbashkëta dhe se shteti i Kosovës ‘ka rënë përtokë’, transmeton kp.

“Gjysma e remitencave përdoren për konsum të përditshëm dhe dhjetë për qind përdoren për biznes”, tha ai.

Kurti tha se e vetmja rrugë për t’i dhënë fund kësaj është një qeveri e dalë nga zgjedhjet e reja, e cila sipas tij do t’i jepte fund ‘PANhajnisë’.

Menu Title