.
×

Kurti: Presidentja e ndërroi ZanziBarin me Hamamin



Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot në një takim me qytetarë në Gjakovë, ka folur edhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, të cilat i ka paralajmëruar edhe presidentja Atifete Jahjaga. Sipas Kurtit, presidentja nuk ka bazë ligjore për të shpallur zgjedhjet, dhe për këtë po mundohet t’i bëjë partnerë PDK-së, duke e ndërruar “ZanziBarin” me “Hamamin”.

Kurti duke folur për angazhimin e presidentes Atifete Jahjaga, për t’u ndihmuar partive politike që të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga ngërçi, ka thënë se ajo po mundohet që t’i gjejë partnerë politik PDK-së për ta bërë qeverinë, por nuk po e arrin këtë.
Ai duke komentuar takimin e liderit të PDK-së, Hashim Thaçi me atë të LDK-së, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinajn e AAK-së, në bar lokalin “Hamam” në Prishtinë disa ditë më parë, se presidentja nuk po donë që zgjidhja të gjendet në Kuvend.

“Qysh në fillim i ka thënë Presidentes se nuk ka bazë ligjore për të shkuar tash në zgjedhje edhe pse VETËVENDOSJE! gjithnjë është e gatshme. “Janë dy zgjidhje: ose Kuvendi, ose Zanzi bari. Ajo Kuvendin nuk e donte, e Zanzi barin e ndërroi me Hamamin. Bëri skenar se si s’i takojë me Thaçin kryetarin e LDK-së dhe atë të AAK-së. Menjëherë filluan portalet me lajme se ‘po shkojnë me Thaçin’. Nuk shkuan me Thaçin”, tha Kurti.
Ai shtoi se këta që e kanë kapur shtetin duan Republikë Qeveritare, jo Republikë Parlamentare. “Këta duan Republikë pa Parlament. Republika Qeveritare është praktikisht aristokraci. Republika Presidenciale, disa thonë se i ngjanë monarkisë. Republika Parlamentare që e duam ne, i afrohet më së shumti demokracisë. Prandaj insistojmë në Republikë Parlamentare. Nuk ka kuptim të mos qeverisë shumica parlamentare. Cili është kuptimi i Republikës Parlamentare, nëse shumica parlamentare nuk e formon Qeverinë? Nuk ka më kuptim Republika e Kosovës”, tha ndër të tjera Kurti.

Duke folur për marrëveshjen e 10 shtatorit, të nënshkruar nga VETËVENDOSJE!, LDK, AAK dhe NISMA, Kurti tha se asnjëra nga pikat e marrëveshjes nuk i konvenon Thaçit.

“VETËVENDOSJE! çdo herë ka mbajtur tubime, mbanë edhe tash; ka bërë aksione, bën edhe tash; më herët nuk kemi qenë në parlament, e ka ekzistuar Kuvendi. Tash, porsa u bëmë bashkë kundër PDK-së na e ka bllokuar Kuvendin, tash që porsa u bëmë bashkë në një kurs të ri shtetëror që edhe negociatat, edhe dialogun në përgjithësi, edhe privatizimin edhe zhvillimin ekonomik i bën çështje të qeverisë. Deri sot, asnjë Qeveri e Kosovës nuk ka guxuar të merret me dialog dhe privatizim. Dialogu dhe privatizimi kanë qenë të paqeverisshme. Ato kanë qeverisur me Qeverinë. Qeveria ka qenë nën dialogun dhe nën privatizimin. Për herë të parë me marrëveshjen e 10 shtatorit qeveria del mbi dialog dhe mbi privatizim”, u shpreh Kurti.