.
×

Kurti: Ose Kuvendi, ose ‘Zanzi bari’



Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një tubimi që mbajti me qytetarët e Gjakovës, në fillim përmendi vetëm disa nga ato që ai i quajti të këqijat dhe skandalet e bëra gjatë qeverisjes së PDK-së në Kosovë.

Në mesin e tyre ai përmendi: lënien e Kosovës pa ushtri dhe futjen e ushtrisë në pazar për vendet e rezervuara; aferën Pronto, ku pushtetarët flasin italisht si mafitë nëpër filma; skandalin e pasaportave; vjedhjet nëpër dhomat e dëshmive; premtimet në 2010 për liberalizim të vizave për 15 muaj, përderisa, siç tha ai, i kemi ende në kujtesë pamjet e kampeve të Hungarisë dhe shatorëve të Francës me shqiptarë të arratisur meqë nuk gjeni në Kosovë as mbijetesë e lëre më jetë dinjitoze.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe Planin Bansko; faljen e Distribucionit; vendosjen e Fusnotës; shtimin e barrikadave në veri; “Parkun e Paqes” mbi urën e Ibrit, që, sipas tij, realisht është Park i Dhunës; vrasjen e Enver Zymberit dhe Selver Haradinajt; arratisjen e Xhabir Zharkut; korrupsionin e Ramadan Mujës; falsifikimet e Ibrahim Gashit; vendosjen e Bedri Hamzës si Guvernator në BQK; e të tjera.

Duke folur për marrëveshjen e 10 shtatorit, të nënshkruar nga VV, LDK, AAK dhe NISMA, Kurti tha se asnjëra nga pikat e marrëveshjes nuk i konvenon Thaçit.

Qytetarët e Gjakovës pyetën për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, që është përmendur shpesh nga PDK-ja, por Kurti tha se qysh në fillim i ka thënë Presidentes se nuk ka bazë ligjore për të shkuar tash në zgjedhje edhe pse Vetëvendosje gjithnjë është e gatshme.

“Janë dy zgjidhje: ose Kuvendi, ose ‘Zanzi bari’. Ajo Kuvendin nuk e donte, e ‘Zanzi barin’ e ndërroi me ‘Hamamin’. Bëri skenar se si i takoi me Thaçin kryetarin e LDK-së dhe atë të AAK-së. Menjëherë filluan portalet me lajme se ‘po shkojnë me Thaçin’. Nuk shkuan me Thaçin”, tha Kurti.

Ai shtoi se këta që e kanë kapur shtetin duan Republikë Qeveritare, jo Republikë Parlamentare.

Deputeti Ilir Deda tha se këta muajt e fundit po e shohim për së afërmi rastin për ta dekriminalizuar shtetin e Kosovës. /Telegrafi/