.
×

Kurti insiston për Republikën e tretë



Ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur rreth ditës së Kushtetutës ka thënë se Enver Hasani nuk është vetëm emër i përveçëm, por është bërë edhe emër i konceptit të një Kushtetute pa kushtetutshmëri. Kurti në emisionin “Click” në RTV21 ka theksuar se Kosova ka nevojë për një republikë të tretë.

“Kemi nevojë për një republikë të tretë, që do të ishte republikë për zhvillmë, republikë e shtetit të së drejtës”, ka thënë Kurti, duke shtuar më pas se po ashtu kemi nevojë për një Kushtetutë të re me kushtetutshmëri.

“Kemi nevojë për ndryshime pozitive kushtetuese. Kemi nevojë për një kulm të ri, kushtetutë të re , një kushtetutë e cila ka një shtet të fuqishëm përbrenda”, është shprehur Kurti, transmeton Indeksonline.

Ai më pas ka theksuar se kërkesa për këto ndryshime do të mund të ketë edhe kundërshtime në Kuvendin e Kosovës, nga ana e Listës Serbe, deputetët e tjerë e po ashtu edhe nga PDK-ja.

Ndërkaq analisti, Halil Matoshi ka thënë se Kushtetua ka nevojë për rikonstruktim normativ.

“Kushtetua ndonëse sot u folën shumë fjalë të mira, prej hyrjes në fuqi e deri më sot nuk është hy në funksion”, ka thënë Matoshi.

Në anën tjetër analisti Dukagjin Gorani ka theksuar se Kushtetua është produkt i një vendimi ndërkombëtar.

Albin Kurti më pas ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë ndryshime deri sa të vazhdojë të ekzistojë koalicioni LDK-PDK. Ai ka thënë se ndryshimet duhet të nisin nga shoqëria e të kurorëzohen në Kuvend.