.
×

Kurrë mos e mbuloni karrocën, mund ta mbysni fëmijën pa e ditur



Ky tashmë është bërë një lajm për shumë prindër dhe mund të konsiderohet lajm shumë i rëndësishëm me kuptimin e plotë të fjalës.

Dhe ndërsa mendonim se kjo tashme ishte bërë një dukuri e njohur për një pjesë të madhe të popullsisë, si për ironi na takon të ballafaqohemi me një tjetër realitet jo më larg se një ditë më parë. Gjatë një pasdite të bukur, plot diell me rreze të dobishme na takon të shikojmë një çift jo më shumë se 30-35 vjeç me një karrocë që mund të them me plot gojë të izoluar!

Kemi parë plot raste kur nënat i mbulojnë karrocat e fëmijëve me çarçafë, napa, perde e lloj lloj materialesh, që dyshoj shumë se sjellin ndonjë dobi për fëmijën, por nuk më kishte ndodhur kurrë të shikoja një karrocë të mbuluar me batanije! Ishte një batanije e hollë dhe me ngjyrë të çelët, por që gjithsesi të mbyt!

Fëmija kishte nxjerrë këmbët jashtë karrocës dhe mund të them se ishte më shumë se 1 vjeç! Por a e dinë ata prindër (dhe ndoshta dhe shumë të tjerë) rrezikun që sjell ky veprim?

Ja çfarë duhet të dini në lidhje me këtë gabim, që ndoshta mund ta kenë bërë shumë prindër:

Gjatë verës është e vështirë të sigurojmë gjithmonë ambient të freskët për fëmijën tuaj. Për të “mbrojtur” fëmijët nga dielli shumë prindër shpesh e mbulojnë karrocën me një çarçaf të hollë, ndoshta pa e ditur që ky është një gabim që duhet evituar sepse temperatura në brendësi të karrocës ka tendencë të jetë me e lartë se ambient jashtë dhe duke i hedhur edhe çarçafin (sado i hollë të jetë ai) ju do ta rrisni edhe më shumë temperaturën, duke rrezikuar kështu që fëmija të preket nga SIDS (sindroma e vdekjes së papritur të laktantit në gjumë).

Doktor Svante Norgen, një pediatër suedez ka bërë një studim në një spital të Stokholmit në lidhje me këtë problem. “Klima e karrocës mund të krahasohet me një kazan që zien. Në të ka një qarkullim jo të mirë të ajrit dhe ky qarkullim do të bëhet edhe më i keq me vendosjes e një carcafi sipër saj, sado i hollë të jetë ai”, shprehet doktori suedez.

Nëse bëhet shumë nxehtë fëmija i vogël mund të mendojë se ndodhet sërish brenda barkut të nënës dhe për pasojë do të ndalojë së marri frymë.

Në lidhje me vërtetimin e kësaj teorie është bërë edhe një test. Studiuesit kanë vendosur një karrocë në një ambient të jashtëm nga ora 11:30-13:00 në një temperaturë 22 gradë. Pasi karroca u mbulua me një carcaf shumë të hollë temperatura shkoi në 34 gradë. Bëhet fjalë për një rritje shumë të madhe temperature sidomos për një fëmijë të vogël i cili nuk është në gjendje të rregullojë temeraturën aq mirë sa një person i rritur.

Kështu që në vend që të mbuloni karrocën ndërsa jashtë bën vapë, mundohuni ta mbani atë sa më shumë në hije. Nëse është e mundur zbuloni anësoret e karrocës në mënyrë që ajri të qarkullojë më mirë.

Nëse mendoni se temperatura e fëmijës është e lartë por nuk jeni e sigurt, vendosjani një dorë në bark dhe nëse ai është i nxehtë i vishni diçka më të hollë./Bp/