[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Kur Veseli thoshte se donte të shkonte në aeroport për ta ndalur dëbimin e ‘gylenistëve’



Rasti i deportimit të gjashtë shtetasve turq është një prej skandaleve më të mëdha në të cilin janë përfshirë institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës. Një skandal i tillë rezultoi me shkarkimin e shefit të AKI-së, Dritan Gashit, dhe ministrit të brendshëm nga radhët e partisë së Behgjet Pacollit, Flamur Sefaj. Atë kohë kishte reaguar ashpër edhe kryetari i PDK’së, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Në mars të vitit 2018 ai kishte thënë se ndjehet i turpëruar nga një skandal i tillë, duke shtuar se ishte i gatshëm të nisej për në Aeroportin e Prishtinës, për të ndalë diçka të tillë.

“I kam thirrur të gjithë. Kam qenë në gjendje që të shkojë edhe në aeroport. Fatkeqësia e tyre ishte se familjarët lajmëruan vonë atëherë kur fati i tyre ishte gatuar”, kishte deklaruar Veseli më 30 mars të vitit 2018.

Atë kohë Veseli madje shprehte keqardhje për gjithçka kishte ndodhur, duke kujtuar se si Kosova nuk i kishte dorëzuar hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore.

“Ne krenohemi që nuk i kemi dorëzuar çifutët në luftën e dytë botërore, e çka bëmë tani i dorëzuam njerëzit që nuk e dimë ku. Imagjinoni nëse i mbysin, ku mbetet shteti i pavarur i Kosovës”, ka shtuar ai.

Por kur kanë kaluar më shumë se një vit, deputetët e partisë së tij kanë vendosur që të mos e votojnë raportin e Komisionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për ‘gylenistët’, në të cilin janë evidentuar 31 shkelje.

Përveç Nait Hasanit e Fatmir Xhelilit që kanë votuar ‘për’ dhe Memli Krasniqit, Elmi Reçicës e Bekim Haxhiut që kanë abstenuar, të gjithë deputetët tjerë të partisë së Veselit kanë votuar kundër raportit të Komisionit.

Për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq të cilët punonin në institucionin privat të arsimit “Mehmet Akif College”, ishte ftuar disa herë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas shumë shtyrjeve, Thaçi kishte vendosur që të fliste para Komisionit. Megjithatë gjithçka ishte shndërruar në një përplasje personale mes tij dhe anëtarëve të Komisionit, duke u munduar kështu që t’i shmangej plotësisht dëshmisë.

Madje përveç këtyre, Thaçi nuk kishte pranuar që të fliste lidhur me këtë rast, derisa Komisioni Hetimor, nuk i argumentonte që ka qenë ligjërisht në rregull, përfshirja e një eksperti të huaj në hetimet lidhur me rastin.

Ndër të tjera Thaçi thoshte se eksperti që ishte angazhuar nga Komisioni, kishte afërsi me anëtarin e LVV’ë në Komision, ish avokatin e Popullit, Sami Kurteshin.

Edhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e 6 shtetasve turq të rrëmbyer nga autoritetet e sigurisë turke, ndërkohë në Kosovë vizita dhe kërkesa për dorëzimin e ‘gylenistëve’ të tjerë ka pasur nga Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i cili në tetorin e vitit të kaluar kishte vizituar Kosovën dhe rajonin.

Raportin e Komisionit për ‘gylenistët’ nuk e kanë votuar edhe disa deputetë të tjerë të pozitës, nga AAK’ja dhe NISMA.

Menu Title