.
×

Kur Albin Kurti kërkonte pavarësi, e jo bashkim me Shqipërinë



Në rrjetet sociale po vazhdojnë diskutimet pa fund nëse marrëveshja e VV me LAN është shkelje parimesh e premtimesh të mëparshme të lëvizjes së Albin Kurtit apo veprim i duhur për të ardhur deri te pushteti.

Këshilltari ligjor i Vetëvendosjes, Armend Shkoza, në një nga postimet në profilin e tij në “Facebook”, ka treguar edhe çfarë kishte thënë Albin Kurti kur ishte paraqitur për herë të parë para gjykatës serbe në Nish kur ishte i burgosur i regjimit të Sllobodan Milosheviqit.

Prapavija e këtij postimi padyshim është për të treguar guximin e Albin Kurtit para gjykatës serbe derisa flet se si ai punon për krijimin e Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, guximi i Kurtit nuk e parashihte edhe dëshirën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë që tash përbënë bazën e pothuajse çdo paraqitjeje publike të Vetëvendosjes.

“Pavarësia e Republikës së Kosovës është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe e pranueshme”, kishte thënë ndër të tjera Kurti para gjykatësit serb në Nish, sipas postimit të këshilltarit ligjor të VV, Amend Shkoza.

Më tej Kurti, gjithmonë sipas këtij postimi, ka thënë: “Për popullin shqiptar në Kosovë pavarësia është çështje ekzistenciale, sepse vetëm në Kosovën e pavarur shqiptarët ndihen të lirë, të sigurt dhe vetëm në Kosovën e pavarur ndihen si mund t’i realizojnë të drejtat e tyre”.

Mirëpo, pas krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës, lideri i VV me zyrtarët e tjerë të partisë, asnjëherë nuk kanë treguar respekt për flamurin e Kosovës, shumicën e protestave i kanë bërë pa kërkuar leje nga policia e shtetit etj.

Në ndeshjen e fundit të ekipit të Kosovës në futboll kundër Omanit ku Kosova shënoi fitoren e parë në një ndeshje ndërkombëtare të regjistruar edhe nga FIFA, asnjë nga zyrtarët e lartë të VV nuk e kanë thënë asnjë fjalë.

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës dhe nënkryetar i Vetëvendosjes, ia urojë fitoren kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen kundër Portugalisë, të njëjtën ditë kur fitoi edhe Kosova, por për këtë të fundit nuk e pa të arsyeshme të thotë asnjë fjalë.

Ndoshta marrëveshja me liderin e AAK së “haraçxhinjëve”, LDK e Isa Mustafës, dosjet e të cilit ia ka dorëzuar në EULEX dhe NISMËN e të “korruptuarit”, Fatmir Limaj, nuk është ndryshimi i vetëm 180 shkallësh i VV.

Të thuash që pavarësia është e vetmja zgjidhje për shqiptarët, ndërsa pak kohë më vonë, bashkimin me Shqipërinë ta bësh bazën e politikës mbi të cilën funksionon partia që e udhëheqë, duket të jetë shkelje më e madhe e një parimi që ja ke vënë vetës se sa ndoshta nënshkrimi marrëveshjes së bashkëpunimit me tri parti që së paku dy fushata parazgjedhore i ke quajtur praktikisht organizata të korruptuara e kriminale. /Indeksonline/