.
×

Kundërthëniet mes Veselit dhe Kuçit që ‘rrezikojnë’ të ardhmen e PDK-së



Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nuk e ndanë të njëjtin mendim me nënkryetarin e partisë, Hajredin Kuçi, për mënyrën e rritjes së PDK-së.

Derisa Kuçi, konsideron se në PDK kanë vend për t’u kthyer edhe ata që e kanë braktisur më herët, Veseli e përjashton një mundësi të tillë. Qëndrimet e tyre “Për” dhe “Kundër” hapjes së derës për ata që janë larguar nga PDK-ja, të dy i kanë shprehur një ditë më herët në Konventën zgjedhore të partisë.“Na duhen njerëz të rinj, na duhen energji të reja…Kërkohet hapësirë për kuado të reja me afinitet të larta morale, kombëtare e intelektuale. Një unifikim i të gjithë neve jo vetëm në këtë sallë, por edhe me të tjerët që janë jashtë kësaj salle, përshirë edhe me ata që ishin dje në PDK e të cilët e kanë derën hapur që të jenë prapë (në PDK v.j)”, ka thënë Kuçi.

Pak më vonë ka folur edhe kryetari i partisë. Ndryshe nga Kuçi, ai e ka quajtur gabim të PDK-së që ka “toleruar individë të caktuar ta shfrytëzojnë e ta dëmtojnë”.“Shumë nga ta janë larguar nga ne duke e paraqitur veten si njerëz të mirë dhe viktima të partisë, ndonëse ishin përfitues për veten dhe dëmtues për partinë dhe vendin”, ka thënë Veseli.Të tillët, sipas tij, kanë bërë mirë që janë larguar. “Por, më mirë do të ishte sikur ne të ndaheshim me kohë prej tyre”, ka shtuar Veseli, duke u shprehur kategorik se ata që e kanë braktisur PDK-në nuk kanë vend për t’u kthyer. “Nëse të tillët tentojnë të gjejnë strehim te ne, nuk do t’i tolerojmë”, ka deklaruar Veseli.

Në të vërtet, PDK-në e kanë braktisur shumë nga figurat kryesore të saj, përfshirë Jakup Krasniqin e Fatmir Limajn, të cilët kanë qenë bashkëthemelues të PDK-së.Të dy kanë mbledhur shumë anëtarë të PDK-së dhe kanë krijuar Nismën për Kosovë, që tash quhet Nisma Social Demokrate dhe është subjekt parlamentar./AP/