.
×

Kundërshtohet muri mbi urën e Ibri



 

Botapress, 15 Korrik

Punimet kanë vazhduar gjate ditës së diel në murin mbi urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën Jugore me atë Veriore.
Zyrtarë nga komuna e Jugut, ndonëse vazhdojnë të mos e pranojnë një veprim të tillë, shprehin pafuqinë e tyre karshi kësaj situate, raporton KTV.Nënkryetari i Mitrovicës Jugore, Faruk Mujka, tha se këto punime po kryhen në bazë të pëlqimit, tashmë të dhënën nga krerët e shtetit, e duke shprehur kështu kundërshtinë e tij për vazhdimin e ndërtimit të këtij muri.

Mujka po ashtu, ka deklaruar se nga bisedat joformale që ka pasur me personat e kyçur në këtë proces, pritet që qytetarët nga të dyja anët e urës do të mund të lëvizin lirshëm deri në fund të këtij muaji.

Në anën tjetër, qytetarët prapa kamerave kanë deklaruar për KTV’në se muri me çfarëdo përmasa që të ndërtohet, nënkupton thellim të ndarjes, e assesi të bashkimit.

Reagime të shumta kundër këtij muri ka pasur që nga koha e qeverisë Mustafa, kur edhe kishte filluar ndërtimi i tij, e i cili më pas ishte rrënuar, pas polemikave të mëdha në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rivitalizimi i urës së Ibrit financohet nga BE’ja, ndërsa punimet në sheshin “Mbreti Petar” në veri, pjesë e së cilës është edhe muri, financohen nga komuna e Mitrovicës Veriore dhe vlera e tyre kap shumën e rreth 3 milionë eurove.