.
×

Kuçi: Qeveria ka përgjegjësi në arrestimin e Haradinajt



Qeveria e Kosovës, mbanë përgjegjësi për arrestimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze, me një flet-arrest që Serbia e ka bërë në Interpol.

Sipas Sekretarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçit, në një intervistë dhënë për Info Magazine në Klan Kosova, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin miratuar një rezolutë nga ku bëhet thirrje që Serbisë t’i kërkohet t’i tërheqë të gjitha urdhër-arrestet për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Edhe kur Haradinaj ishte i arrestuar në Slloveni, është kërkuar nga deputetët e Kosovës që atij t’i hiqen urdhër-arrestet. Kuvendi ka pasur një rezolutë ku kërkohet trysni te Brukseli dhe Serbia për t’i hequr flet-arrestet. Dikush duhet të japë llogari për mos-përfilljen e rezolutave të Kuvendit. Qeveria ka Përgjegjësi në këtë rast. Qeveria ka një fuqi, duhet ta ndalë dialogun me Serbinë, ose duhet të vërë disa kushte para se të dialogojë”, ka thënë Kuçi.Ndër të tjerash Kuçi po ashtu ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që Haradinajt po i ndodhë diçka e tillë, dhe se Institucionet e Kosovës duhet t’i mbrojnë qytetarët e saj.

“Haradinaj ka qenë disa herë në Francë dhe nuk e di nëse ka lajmëruar autoritetet Franceze. Duhet të kërkojmë dinjitet. Institucionet tona duhet t’i dalin në mbrojtje çdo qytetari të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sekretari i AAK-së, po ashtu ka deklaruar se të enjten në ora 11:00 do të mbahet një seancë gjyqësore, ku Haradinaj do të lirohet e të mbrohet në liri, ose të lirohet plotësisht.