.
×

Kthimi i liderit Berisha, fitore e madhe për Kosovën



Shumë gjëra kanë ndërruar në përfaqësuesen e Kosovës në futboll prejse Valon Berisha është paraqitur për herë të fundit për të.

Ai kishte udhëhequr mesfushën e Kosovës në fitoren 4:3 ndaj Letonisë në miqësoren e luajtur më 13 nëntor të vitit të kaluar në Mitrovicë, shkruan sot Koha Ditore.

Kosova tashmë ka përzgjedhës të ri, ka nisur garat në një Ligë të re, është kthyer në shtëpi e po ashtu plot emra të rinj i janë bashkuar përfaqësueses. Por Berisha prapë pritet të jetë prej liderëve të Kosovës.

Ai për herë të parë është përfshirë në listën e përzgjedhësit Bernard Challandes, që në krye të Kosovës është nga marsi. Në mars Kosova fitoi miqësoret me Madagaskarin e Burkina Fason. Në maj fitoi ndaj Shqipërisë, ndërsa në shtator barazoi pa gola me Azerbajxhanin dhe më pas fitoi 2:0 ndaj Ishujve Faroe. Dy ndeshjet e fundit i takuan Grupit 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Në kuadër të kësaj gare Kosova më 11 tetor e pret Maltën, ndërsa më 14 tetor luan në udhëtim ndaj Ishujve Faroe./bp/