.
×

Kryeziu: UNMIK’u kërkonte kuadro të stërvitura të shërbejnë, i gjeti te njerëzit e diktaturës komuniste



Botapress, 20 shkurt

Njëri prej udhëheqësve të LDK’së për një kohë të gjatë, Eqrem Kryeziu i është kthyer historisë duke folur për kohën e pasluftës. Ka thënë se në atë kohë bashkësia ndërkombëtare përmes kërkesës për stabilitet lejoi krimin e korrupsionin në Kosovë.

Madje, Kryeziu ka thënë se bashkësia ndërkombëtare përmes UNMIK’ut instaloi njerëzit e diktaturës komuniste, të cilët ishin të trajnuar për të shërbyer si skllevër dhe shtetarrënues.

Ky eshte reagimi i Eqrem Kryeziut:

Të kthehen gjërat në vendin e vet, I

Arsyetimi se gjërat do rregulluar një nga një ishte një mistifikim i kobshëm që bashkësia ndërkombëtare bëri në Kosovë. Thuhej: së pari stabiliteti, pastaj demokratizimi, pastaj sundimi i ligjit, pastaj zhvillimi ekonomik.

Një shoqëri është e ngjashme me organizmin e njeriut. Ky organizëm vdes po qe se kujdesemi vetëm për qarkullimin e gjakut, por nuk nuk e lejojmë të marrë frymë ose të ushqehet.

Për më tepër, meqë stabiliteti kërkuaka të mos luftohet krimi, atëherë nuk do ta luftojmë krimin. Bashkësia ndërkombëtare sajonte vetë mesazhin që i pëlqente ta merrte, sepse duke e shndërruar Kosovën në pre të krimit ekonomik e të krimit të organizuar, krijonte alternativën e rrënimit të shtetësisë së Kosovës, duke bërë nga ajo një gogol në sytë e kundërshtarëve të saj si dhe duke justifikuar kundërshtinë e pakicave për të mos u integruar me kohë, përkundrazi: duke u larguar revan nga çdo lloj integrimi. Besoj se tani e shohim qartë këtë rrjedhë.

Dhe kur thuhej: stabiliteti është parësor e kishin fjalën për stabilitetin dhe për rehatinë e vet.

A e kanë parë miqtë e Kosovës këtë proces? Nuk kemi ndonjë përgjigje. Mirëpo se UNMIK-u kërkonte me qiri e me pishë njerëzit e diktaturës komuniste, kjo ka qenë evidente. Mund ta marrim me mend se ai mision kërkonte njerëz që janë stërvitur të shërbejnë, duke qenë se padron, madje i paprekshëm, ishte vetë.
Njerëz që shërbejnë, do të thotë – skllevër pa atdhe. Dhe jo vetëm kaq. Mbase edhe shtetrrënues.

Ndërkaq Kosova kishte nevojë për njerëzit që do ta trajtonin si atdhe, madje si atdhe të vetëm. Dhe këta nuk kanë munguar gjatë gjithë historisë së saj. Përndryshe, si do të bëhej çështje për t’u zgjidhur?

As sot nuk mungojnë dhe është koha të japin energjinë edhe mirëkuptimin edhe dashurinë e tyre, në mënyrë që të kalohet nyja e turpshme e Gordit.